Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në Forumin e 10-të Ndërkombëtar i Veprimit të Shoqërisë Civile Gratë, Paqja dhe Siguria, “Ndërtimi i paqes në kohë pesimizmi”.

Në fjalën e saj në këtë forum, Koçiu tha se “për më shumë se 20 vjet, mbizotërimi i Paqes në këtë zonë të botës na bëri të besojmë se lufta, si dhe përpjekja për të gjetur zgjidhje përmes forcës dhe dhunës ishin kujtime të së shkuarës. Për fat të keq, nuk ishte kështu! Sot, kur vatrat e tmerrit të armëve janë përhapur anembanë e kur Europa është shndërruar në teatrin e konfliktit më të egër që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, rëndësia e solidaritetit është më e rëndësishme se kurrë”.

“Pa dyshim, ndërtimi i paqes në një kohë krize është shumë i vështirë. Pa dyshim, diskutimet tona në sallën e nderuar të Kuvendit nuk do të ndalojnë tanket ruse në Ukrainë apo konfliktet e tjera në botë. E gjithashtu, për fat të keq, nuk ekziston një zgjidhje e menjëhershme. Por, ekziston një zgjidhje që kudo ku është zbatuar, ka treguar se funksionon gjithmonë: Ajo është përfshirja e gruas dhe avancimi i barazisë gjinore”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “të dhënat e OKB-së tregojnë se marrëveshjet e paqes që ndërtohen me pjesëmarrjen e gruas kanë shumë më tepër gjasë t’i rezistojnë kohës”.

“Të njëjtat të dhëna tregojnë se vendet me nivel më të lartë të barazisë gjinore kanë shumë më pak gjasë që të përdorin forcën për të zgjidhur konfliktet e tyre”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “personalisht, ndihem vërtet e privilegjuar që jam pjesë e një prej kabineteve të pakta në botë që përbëhet me shumicë nga gratë. Ndihem gjithashtu krenare për këtë Kuvend, që legjislature pas legjislature ngushton gjithmonë e më shumë hendekun e përfaqësimit mes grave dhe burrave. Shqipëria është midis atyre vendeve që jo vetëm ka ratifikuar rezolutat historike 1325 dhe 2250, por i ka harmonizuar të gjithë ato objektiva në legjislacionin, strategjitë apo Planet tona të Veprimit”.

“Jo më larg se në dhjetor 2023, ne miratuam Planin e Dytë të Veprimit të Rezolutës 1325 për “Gruan, Paqen dhe Sigurinë”, duke nxitur kështu më tej përfshirjen e gruas në sektorë të dominuar tradicionalisht nga burrat, si siguria, mbrojtja, misionet paqeruajtëse”, tha Koçiu.

Përtej politikës, vijoi Koçiu, sot kemi më shumë gra se kurrë më parë në Forcat e Armatosura, në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse, në diplomaci, në Policinë e Shtetit, si dhe në nivelet drejtuese në administratë.

“Ministrja e Mbrojtjes u drejtua për herë të parë nga një grua në vitin 2013. Në 2016-n u emërua gruaja e parë Gjenerale. Në 2017-n, Komisioni i Sigurisë u drejtua nga një grua.

Më tej, hendeku në pagë mes burrave dhe grave, në sipërmarrje apo në fushat e tjera të jetës shqiptare vijon të ngushtohet. Gjithashtu, Shqipëria ka bërë gjithçka që ka mundur për të promovuar paqen përmes avancimit të barazisë në arenën ndërkombëtare, sidomos përgjatë drejtimit të OSBE-së në vitin 2020 dhe mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit në 2022-2023”, nënvizoi Koçiu.

Megjithatë, shtoi ministrja, jemi të vetëdijshëm se të gjithë këto arritje nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar faktin se mbetet ende shumë për të bërë për të arritur paqen dhe barazinë e plotë në të gjithë sferat e jetës sonë.

Në këtë drejtim, vijoi Koçiu, MSHMS të cilin kam privilegjin të drejtoj, ka një rol thelbësor, për të promovuar barazinë për të gjithë, edhe për ato gra dhe vajza të gjendura në kushte jo të privilegjuara.

“Sot kemi mekanizma si Fondi Social, si dhe shërbime me bazë komunitare të shtrira në pushtetin vendor apo të ofruara në bashkëpunim me shoqërinë civile, streha për viktimat e dhunës, mbështetje direkte për riintegrim, punësim, etj.

Megjithatë, duhet të bëjmë ende shumë punë dhe ju siguroj se kjo është pikërisht ajo që jemi duke bërë”, tha Koçiu.

“Dua të përfundoj fjalën time duke cituar një prej grave më të njohura shqiptare në arenën ndërkombëtare, një grua të fortë, që përmes zërit të saj ka magjepsur skenat më të mëdha botërore. Është pikërisht Ermonela Jaho e cila thotë :“Të fuqizosh gruan do të thotë të investosh në të ardhmen. Sepse grua ka fuqinë jo vetëm të ndryshojë fatin e saj, por ka fuqinë të ndryshojë fatet e botës””, tha Koçiu duke i bërë apel grave të bëhemi bashkë për të ndryshuar fatet e botës./ata