Në Maarif Schools of Kosova – Qendra në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve për nxënësit e kësaj shkolle të cilët fituan medalje në Olimpiadën STEM në Hagë të Holandës.
Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Kosovë Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës Fikrim Damka, drejtori i Fondacionit "Maarif" në Kosovë Mehmet Nedim Aslan, përfaqësues të Odës Ekonomike Kosovare-Turke, biznesmenë si dhe mësimdhënës dhe nxënës.
Maarif ka bërë histori duke fituar gjithsej 19 medalje në Finalen e Madhe të Olimpiadës prestigjioze "STEM 2024" në Hagë të Holandës, derisa suksesi i kësaj shkolle në këtë garë, kulmoi me vendin e parë në botë në kategorinë e shkencës.
Në fjalën e tij, ambasadori Angılı tha se shkollat ​​Maarif janë bërë një markë e rëndësishme arsimore. Ai tha se investimet e bëra në fushën e arsimit bëhen për të ardhmen dhe me këtë rast medaljet e fituara janë "fidanet e farave të mbjella më herët".
"Shkollat ​​Maarif me prezencën e tyre këtu japin kontribute të rëndësishme dhe serioze për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Nuk kam dyshim se studentët e shkolluar në këtë kohë në të ardhmen të arrijnë pozita shumë të mira pothuajse në çdo fushë të Republikës së Kosovës, përfshirë arsimin, artin dhe politikën", theksoi Angılı.
Drejtori i Fondacionit "Maarif" në Kosovë, Aslan, tha se më shumë se 750 nxënës shkollohen në degët e shkollave Maarif në Prishtinë dhe Prizren, të cilat operojnë në Kosovë. Ai tha se nxënësit e Maarif kanë arritur suksese të mëdha në garat kombëtare dhe ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë mijëra nxënës nga vende të ndryshme çdo vit.
"Shkollat ​​tona Maarif në Kosovë arritën sukses historik duke fituar gjithsej 19 medalje në këtë ngjarje prestigjioze. Nxënësit tanë të parët në botë dhe të tretët në kategorinë shkencore, me krenari shpallën jo vetëm emrin e shkollave tona por edhe emrin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare", theksoi Aslan.
Në fjalën e tij, ministri i Zhvillimit Rajonal, Damka përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësit për suksesin e tyre dhe ftoi Fondacionin "Maarif" që të investojnë dhe të hapin shkolla në qytete të ndryshme të Kosovës.
Pas fjalëve të rastit, pjesëmarrësit i dhanë çmimet e tyre 19 studentëve që ishin të suksesshëm në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM. Ceremonia u mbyll me prezantimin e programit muzikor të përgatitur nga studentët.
Finalja e madhe e Olimpiadës Ndërkombëtare STEM u mbajt në Hagë me pjesëmarrjen e mbi 570 studentëve nga 117 vende të botës, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, ku nxënësja e "Maarif" në Kosovë, Ela Naz Yılmaz, zuri vendin e parë në kategorinë e shkencës./TRT