Revista prestigjioze amerikane “Time” i ka kushtuar një artikull qytetit të Beratit duke e sugjeruar për turistët si një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar nga revista prestigjioze amerikane “Time”.

 

“Bukuria e lagjeve të gurta, arkitektura, ushqimi, natyra e sidomos historia e këtij qyteti magjik bëhet edhe më e pasur me mikpritjen, humanizmin, dhe qytetërimin, kur beratasit shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjitha këto detaje që nxjerr në pah artikulli”, shkruan Rama.

 

Shtëpitë e vjetra prej guri, të rreshtuara në brigjet e lumit Osum në Berat, po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve me bukurinë e tyre historike, shkruan Naomi Tomky në një artikull të publikuar në “Time”.

 

Ky vit shënon 80-vjetorin e mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të popullit të Beratit që mbrojti shumë prej hebrenjve të vendit që kërkuan strehim, duke ilustruar parimin e kodit shqiptar të Besës, i cili thotë se shtëpia është para së gjithash e Zotit dhe e mikut.

 

Për të kuptuar më mirë historinë e 400 viteve të historisë hebreje të Beratit, duke përfshirë mënyrën sesi Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë, popullsia hebreje e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevojitet një vizitë në muzeun ”Solomon”.

 

Muzeu etnografik i vendsour në një shtëpi tradicionale përballë rrugës ofron një mjedis shqiptar, së bashku me kishat bizantine të shekullit XIII të Beratit, xhamitë e shekullit XIV dhe një kështjellë mijëravjeçare me pamje nga qyteti unik piktoresk.

 

Berati ka vazhduar traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme në restorantet dhe hotelet e tij.

 

Përtej urës së Goricës, dhomat moderne në hotelin “Amalia Boutique” ofrojnë pamjen e ndërtesave të lashta prej guri, dhe ftojnë mysafirët të shijojnë rakinë shqiptare të njohur në të gjithë Ballkanin.

 

Rakia shërbehet gjithashtu në “Lili Home-Made Food”, që duket më shumë si një oborr i një shtëpie në lagjen ”Mangalem” sesa një restorant, pasi mikpritësi me të njëjtin emër argëton mysafirët duke u shpjeguar menunë me gjeste, ndërsa bashkëshortja e tij Mirela gatuan në kuzhinën e tyre familjare.