Ushtria izraelite njoftoi të hënën se Brigada e Pestë e saj është ridislokuar në operacionet ushtarake në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, pasi u tërhoq në fund të janarit.

“Ushtarët e Brigadës së Pestë vazhduan manovrat (operacionet ushtarake) në Gaza qendrore, si pjesë e konfliktit me palestinezët që ka vazhduar për më shumë se një vit”, tha ushtria izraelite.

Ata bënë të ditur se ushtarët e brigadës gjatë ditëve të fundit kanë kryer një sërë ushtrimesh në Qendrën e Stërvitjes së Ushtrisë Tokësore.

"Forcat kryen stërvitje dhe manovra si në zonat e hapura ashtu edhe në ato urbane, duke përmirësuar gatishmërinë e tyre operacionale për misionin e tyre në Gazën qendrore," tha ushtria.

Ata gjithashtu njoftuan se këto "forca kanë përfunduar përgatitjet logjistike dhe kanë kryer trajnime mbi lëvizshmërinë, zinxhirët e furnizimit dhe reagimin e menjëhershëm mjekësor në përgatitje për luftim".

Ushtria izraelite nuk e specifikoi detyrën e saktë të Brigadës së Pestë.

Gaza Qendrore përfshin atë që ushtria e quan "Korridori Netzarim", një zonë kyç e përdorur për të ndarë pjesët veriore, qendrore dhe jugore të territorit.

Sipas ushtrisë, ushtarët e Brigadës së Pestë "kanë luftuar për shumë muaj në Gaza, duke përfshirë Beit Hanoun, Khuza'a dhe përgjatë brezit bregdetar në Gazën perëndimore".

Ndërsa ushtria nuk konfirmoi datën e saktë të tërheqjes së brigadës, mediat izraelite raportuan se ajo u largua nga Gaza në fund të janarit.

Ushtria izraelite nuk e zbulon zyrtarisht numrin e ushtarëve të saj të vendosur aktualisht në Gaza, por ka mobilizuar 360.000 rezervistë për të mbështetur luftën, e cila filloi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Izraeli vazhdoi ofensivën e tij ushtarake në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar.

Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, konflikti vazhdon.

Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, më shumë se 41.200 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 95.400 janë plagosur që nga fillimi i sulmeve izraelite.

Izraeli aktualisht po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./TRT