Buxheti i shtetit ka arkëtuar 463.8 miliardë lekë deri në muajin Gusht, ose 103.4% e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 38.2 miliardë lekë apo rreth 382 milionë euro më shumë se 8 mujori i vitit 2023.

Të ardhurat tatimore kanë pasur perfomancën më pozitive, të cilat për 8-mujorin 2024 u realizuan në masën 152 miliardë lekë, ose 12.2% më shumë se 8-mujori  i vitit të kaluar. Krahasuar me planin 8-mujor, të ardhurat e mbledhura janë 6.7 miliardë lekë  më shumë.

Ndikimin më të lartë në këtë perfomancë e kanë dhënë të ardhurat nga TVSH, për shkak të konsumit të lartë të nxitur nga sezoni i mbarë turistik. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar neto, u realizua në masën 37.9 miliardë lekë, 7 miliardë lekë ose 22.7% më shumë se 8-mujori 2023, si dhe 1.2 miliardë lekë ose  më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8-mujorin 2024. Rimbursimet për periudhën 8-mujore 2024 janë 16.4 miliardë lekë, 33.9% më shumë se 8-mujori 2023.

Po ashtu vijon të japë efektet pozitive rritja e pagave në administratë dhe rritja e numrit të kontribuesve duke bërë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga administrata tatimore, të jenë në masën 105 miliardë lekë, 10.7 miliardë lekë ose 11.3% më shumë se 8-mujori 2023 si dhe në tejkalim të planit.  Tatimi mbi të ardhurat personale, që sërish vjen si efekt i rritjes së pagave,  është arkëtuar në vlerën 44.9 miliardë lekë, 5.5 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se 8-mujori 2023. Tatimi mbi fitimin u realizua në masën 39.2 miliardë, ose 4.1% më pak se 8-mujori 2023, për shkak se vitin e kaluar u mblodh taksa e jashtëzakonshme e energjisë, ndërsa taksat nacionale, u realizuan në masën 30 miliardë lekë, 5.7 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 152.7 miliardë lekë, 11.3 miliardë lekë ose 8% më shumë se 8-mujori 2023,  dhe 0.8% më shumë se plani.

Pavarësisht kursit të këmbimit, të ardhurat nga TVSH në import për 8-mujorin rezultojnë 102.9 miliardë lekë, 7.6 miliardë lekë ose 8% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe po ashtu mbi planin.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 41.9 miliardë lekë, 9.8% më shumë se në 2023 për shkak të rritjes së importit të mallrave me akcizë.  Taksat doganore po ashtu janë regjistruar me rritje të lehtë, ndërsa të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.9 miliardë, duke regjistruar një rënie prej 6.5 për qind në raport me një vit më parë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 55 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 52.6 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024./Scan