Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka ndryshuar pjesërisht masat e sigurisë për mjekët e akuzuar lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik. Gjyqtari Florjan Kalaja vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit në shtëpi për mjekun Edmond Gashi. 

Për farmacistin Florjan Marku e ndryshoi nga arrest në shtëpi në detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore. Për babain e mjekut Edmond Gashi, Halil Gashin, administrator i klinikës private “Megis” ku adresoheshin pacientët, Apeli i GJKKO i hoqi masën e detyrimit të paraqitjes.

Gjithashtu masa e sigurisë detyrim paraqitje u shfuqizua edhe për ish-nëndrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi. Ndërkohë çështja e skandalit të Onkologjikut do të shkojë për interpretim edhe në Gjykatën e Lartë.

Gjyqtari Kalaja vendosi parashtrimin e mungesës së kompetencës lëndore të GJKKO-së sa i përket procedimit penal me objekt administrimin e burimit të “Kobaltit” me persona nën hetim ish-nëndrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi dhe ish-specialisten Drilona Kishta. 

Kur u zbulua Skandali

Skandali ne spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. 7 masa sigurie u vendosën më 25 qershor 2024, pas hetimeve që zbuluan një skandal në spitalin onkologjik në QSUT.

Pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohej shërbimi, dhe përmes disa mjekëve dhe stafit të përfshirë, orientoheshin në klinikën e onkologut Edmond Gashi. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës zbuloi se ilaçet nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin në disa farmacive në Tiranë. 

Gjithashtu aparatura e vetme 'Kobalto Terapinë' e cila shërben për radioterapitë u la jashtë kushteve teknike me qëllim që pacientët të mos e merrnin shërbimin tek Onkologjiku, por në klinika të tjera private, duke u kthyer në burim rreziku jo vetëm për mjekët që punonin por dhe pacientët./Shqiptarja