Filmi dokumentar “Gjeorgjia e Buzëqeshur” (Smiling Georgia) i autorit Luka Beradze është shpallur filmi më i mirë i edicionit të shtatë të këtij viti të Festivalit të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC).

Me ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe me shfaqjen e filmit “Spitali Al-Shifa: Krimet që u përpoqën t’i varrosin” (Al-Shifa Hospital: The Crimes They Tried to Bury) nga Obada Al Baghdadi, në Qendrën Kulturore Boshnjake (BKC) në Sarajevë përfundoi edicioni i shtatë i festivalit, i cili edhe këtë vit tërhoqi shumë vëmendje nga publiku dhe adhuruesit e filmave dokumentar.

Fokusi i këtij edicioni ishte në vuajtjet e popullit palestinez. Gjatë pesë ditëve të festivalit u shfaqën 24 filma dokumentarë, nga gjithsej 300 aplikime në katër përzgjedhje programore, respektivisht në programin konkurrues, AJB Rrëfim, Last Minute Cinema dhe SmartDoc, nga të cilat nëntë janë premiera botërore, 11 premiera rajonale, si dhe tre nga Bosnjë e Hercegovina.

Drejtori i festivalit AJB DOC, Edhem Foco, tha se është shumë i kënaqur me mënyrën se si ka kaluar i gjithë festivali dhe se si audienca kënaqet vit pas viti.

“Jam i befasuar nga reagimi në të tilla shifra ndaj filmave të tillë, që flet për cilësinë e audiencës, për cilësinë e vlerave njerëzore te njerëzit, se ka ende ndjeshmëri, se duan të dinë për të tjerët, të përpiqen për t'u ndjerë me ta”, tha Foco, duke shtuar se kapaciteti në kinema ishte më e lartë se 100 për qind.

Foco në veçanti theksoi se janë shumë të kënaqur që këtë vit në AJB DOC kanë pasur mysafirë nga BBC, Artea, Deutsche Welle e drejtorë të programeve dokumentare. Gjithashtu kishte edhe përfaqësues të Festivalit të Filmit në Kanë, Berlinale, festivaleve nga Japonia dhe Sundance nga Amerika.

Adel Ksiksi nga Al Jazeera Documentary shprehu kënaqësinë e tij për përfundimin me sukses të programit ‘Third AJD Industry Days’ në kuadër të festivalit AJB DOC.

“Ishte i mrekullueshëm, i suksesshëm, shumë projekte, shumë tema, shumë sukses, çmime gjithashtu. Kemi parë disa dokumentarë dhe projekte dokumentare që trajtojnë shumë çështje, si çështjet e drejtësisë, çështjet sociale, ekonomike dhe mjedisore. Mendoj se producentët dhe kineastët që kanë ardhur nga e gjithë bota kanë bërë një punë shumë të mirë”, tha Ksiksi.

Anëtar i jurisë së programit konkurrues të AJB DOC, regjisori dhe skenaristi Namik Kabil, i pyetur se sa e vështirë ishte puna e jurisë në edicionin e sivjetshëm të festivalit, theksoi se ishte shumë interesant.

“Ishte shumë interesante sepse kishte 11 filma të ndryshëm nga aspekte të ndryshme të jetës. Për fat të mirë, këtë herë juria ishte mjaft unanime, gjë që nuk është gjithmonë kështu. Ishte një kënaqësi e madhe të punoja me ekipin e njerëzve që u zgjodhën, kështu që është një sukses për festivalin dhe një nder i madh për mua personalisht”, tha Kabil.

Në mesin e të ftuarve sonte ishte edhe regjisori palestinez, Rashid Masharawi, i cili prezantoi projektin e tij të quajtur “From Ground Zero” në AJB DOC. Ai tha se ky projekt ka të bëjë me katër filma dokumentarë me katër autorë për Gazën.

“Po e bëj këtë në kuadër të një projekti që quhet edhe ‘From Ground Zero’. 22 filma të shkurtër do të përfaqësojnë Palestinën në Oskar. Këta filma ishin në Toronto javën e kaluar dhe kanë qenë në Festivalin e Filmit në Kanë dhe 80 festivale të tjera të filmit. Gjithçka është bërë gjatë luftës”, tha Masharawi.

Çmimi kryesor ndahet për filmin “Gjeorgjia e Buzëqeshur”

Filmi më i mirë i edicionit të festivalit AJB DOC u vendos nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Deborah London-Harrington, regjistore dokumentarësh dhe drejtuese e Departamentit të Menaxhimit të Prodhimit në kompaninë Dogwoof, Namik Kabil, regjisor dhe shkrimtar, Mila Turajliq, regjisore dokumentarësh, Francesco Montagner, regjisor dokumentarësh, si dhe Myriam Francois, gazetare.

Me çmimin për filmin më të mirë (AJB DOC Main Award) u nderua “Gjeorgjia e Buzëqeshur” nga Luka Beradze.

Filmi fitues flet se cili është çmimi i gjysmë të vërtetave që na thonë politikanët? Në vitin 2012, presidenti gjeorgjian donte të buzëqeshte kombin. Në garën për rizgjedhje, partia në pushtet premtoi kujdes dentar të subvencionuar për më të varfrit. Në të gjithë vendin stomatologët e shtetit filluan të nxjerrin dhëmbë të kalbur, duke premtuar se do t'i zëvendësonin me të rinj në muajt e ardhshëm dhe më pas presidenti humbi zgjedhjet. Nëpërmjet intervistave me personat më të prekur nga ajo fushatë, filmi "Gorgjia e Buzëqeshur" tregon një rrëfim të tekave të pushtetit politik dhe sfidës së atyre që zakonisht kanë më pak pushtet. Vërtet, protagonistët e këtij filmi nuk kanë një buzëqeshje të përkryer, por nuk kanë frikë të tregojnë dhëmbët.

Luka Beradze për gazetarin e Anadolu-t tha se ishte shumë i lumtur për fitimin e çmimit, por gjithashtu pranoi se nuk e priste.

“I jam shumë mirënjohës jurisë dhe festivalit që e ndanë çmimin kryesor për filmin tim”, tha Beradze, duke shtuar se çmimin ia dedikon personazheve të filmit, gjithë ekipit, si dhe kineastëve dhe vendit të tij që udhëheqin luftën kundër censurës.

Çmimi i jurisë së programit ndahet për filmin “Çmimi i Tokës” nga TRT World

Çmimi i jurisë së programit Al Jazeere Balkans, për të cilën vendosi Lejla Dediq, Sead Kreshevljanoviq dhe Dani Haseçiq, u nda për Jose Carlos Soares, Tanju Sahin dhe Aslıhan Eker Çakmak, në produksion të TRT World, për një film që eksploron botën e kolonëve radikal izraelitë mbi tokën palestineze. Autorët e filmit, të cilët u ngjitën në skenë të shoqëruar nga zv/drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Ömer Faruk Tanrıverdi, ia kushtuan çmimin palestinezëve, pra “Palestinës së Lirë”.

Filmi "Çmimi i Tokës" (Holy Redemption), i cili u realizua pavarësisht ndalimit të xhirimeve, eksploron botën e kolonëve radikal izraelitë në tokën palestineze. Të udhëhequr nga vizioni i një "Izraeli të Madh", këta të rinj ndjekin verbërisht udhëheqësit e tyre. Duke vënë në plan të parë sulmin në fshatin Duma, filmi zbulon strategjinë e Izraelit për të zhvendosur palestinezët. Gjatë 22 ditëve të intervistave, ai zbulon ndikimin e udhëheqësve të kolonëve dhe pasojat për palestinezët.

“Pa pretendime për të folur gjuhën e artit, i bërë më shumë në formën e një dokumentari televiziv investigativ gazetaresk, ky film na ballafaqon drejtpërdrejtë me të vërtetën nga këndvështrimi i fanatikëve ekstremist izraelitë, duke treguar fytyrën e urrejtjes së frikshme dhe duke ekspozuar ndoshta elementet më të rëndësishme për të kuptuar politikën perfide koloniale, aparteidin dhe shkaqet reale të krimeve të papërshkrueshme që po ndodhin para syve të të gjithë botës kundër popullit të Palestinës”, shpjegoi juria.

Zv/drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Tanrıverdi, duke folur për mediat tha se me shfaqjen e këtij filmi në Sarajevë kanë dashur të theksojnë se dhimbja e Srebrenicës është ende e freskët.

“Në 53 minuta, ne pasqyruam mizorinë e pushtuesve radikal izraelitë në Palestinë në të gjithë realitetin e tyre, duke zbuluar politikën pushtuese izraelite që mbahet për 75 vjet. Ky çmim do të thotë për ne më shumë sesa çmimi Emmy që morëm, sepse qëllimi ynë ishte të rrisim ndërgjegjësimin global për gjenocidin në Palestinë me dokumentarin tonë”, tha Tanrıverdi.

Çakmak, një nga autoret e filmit, tha se si ekip janë shumë të lumtur që kanë fituar çmimin.

“Ne jemi shumë të lumtur për palestinezët, kjo tregon se mesazhi ynë është i fortë dhe po arrin botën. Në këtë kuptim, Sarajeva është një vend shumë i rëndësishëm, sepse këtu ka ndodhur gjenocidi dhe ndoshta shumica e asaj që po përjetojnë banorët e Gazës janë përjetuar këtu nga banorët e Sarajevës. Edhe ata e kaluan atë proces dhe prandaj e kuptuan shumë mirë këtë film, e kuptuan mirë mesazhin, interesimi ishte i madh dhe si rrjedhojë e morëm këtë çmim. Shpresojmë që filmi tash e tutje të shkojë në vende shumë më të mira dhe të bëhet zëri i palestinezëve”, tha Çakmak.

Sahin, po ashtu një nga autorët e filmit dokumentar, tha se bota po mbyll sytë sot ashtu siç mbylli sytë në Srebrenicë 30 vite më parë.

“Pastaj bota mbylli sytë dhe të njëjtat gjëra ishin para syve të botës. Këtu i treguam botës një vepër tjetër ku ndodhnin të njëjtat gjëra dhe ia kthyem objektivin Palestinës. Dhe bota është përsëri e heshtur. Ne ia kushtojmë çmimin fëmijëve palestinezë që zgjohen nga bombat çdo ditë, atyre që humbën jetën në Bregun Perëndimor dhe veçanërisht Aysenur Ezgi Eygit, e cila u vra javën e kaluar nga një plumb snajperi i ushtarëve izraelitë", tha Sahin.

Çmimi i publikut do të shpallet nesër, pasi janë numëruar votat për të gjithë filmat e shfaqur në AJB DOC të këtij viti.

Pas ndarjes së çmimeve, të pranishmëve iu drejtua drejtori i Al Jazeera Balkans, Tarik Dodiq, i cili shprehu mirënjohjen e tij për publikun që i kushtoi kohë shikimit të dokumentarëve në AJB DOC.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë mysafirë të shumtë, ndër të cilët ambasadori i Türkiyes në Bosnjë e Hercegovinë, Sadık Babür Girgin dhe ambasadori i Palestinës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Rezaq Namoora.

Pas ndarjes së çmimeve, u shfaq filmi “Spitali Al-Shifa: Krimet që u përpoqën t’i varrosin” nga Obada Albaghdadi.

Krahas shfaqjeve të filmave, në bashkëpunim me Institutin Mediatik Al Jazeera nga Doha dhe në partneritet me UNFPA dhe Samsung, u mbajt një seancë trajnimi për autorët e rinj "Prodhimi i filmave dokumentarë me telefona të mençur".

Gjithashtu në kuadër të festivalit AJB DOC, nga data 13 deri më 17 shtator u mbajt edicioni i tretë i Ditëve të Industrisë Dokumentare “Al Jazeera Documentary Industry Days @ AJB DOC”, qëllimi i të cilit është forcimi dhe mbështetja e zgjerimit të prodhimit të filmit dokumentar në botë.

Gjatë tre ditëve u prezantuan gjithsej 29 projekte, të cilat konkurruan për çmimin e bashkë-prodhimit dhe për çmimet në të holla në vlerë prej më shumë se 120 mijë euro, të cilat ndahen nga Al Jazeera Documentary Channel, Al Jazeera Balkans dhe partnerë të tjerë.

Agjencia Anadolu (AA) ishte partneri global i komunikimit i festivalit./aa