Venezuela ka arrestuar shtetasin e katërt amerikan të lidhur me një komplot të dyshuar për të vrarë presidentin Nicolas Maduro, konfirmoi të martën ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello.

Cabello tha se amerikani po bënte foto të instalimeve strategjike.

"Ne e ndoqëm atë. Ai u kap këtu në Karakas, duke bërë foto të instalimeve elektrike dhe të naftës, njësive ushtarake", tha Cabello.

Amerikani u bashkua me tre shtetas të tjerë amerikanë, dy spanjollë dhe një çek, të cilët janë arrestuar në Venezuelë javët e fundit dhe janë akuzuar nga autoritetet e vendit për komplot për të vrarë presidentin Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha për Anadolu se është në dijeni të raporteve për arrestimin e mundshëm të një shtetasi tjetër amerikan.

"Ne jemi në dijeni të raporteve të pakonfirmuara për arrestime shtesë në Venezuelë. Aftësia jonë për të ofruar ndihmë për qytetarët amerikanë në Venezuelë është shumë e kufizuar. Jemi duke punuar me zell për informacione shtesë", tha zëdhënësi.

Departamenti i Shtetit ka mohuar akuzat për përfshirjen e SHBA-së në planet për të larguar Maduron.

"Të gjitha pretendimet për përfshirjen e SHBA-së në komplotin për të përmbysur Maduron janë kategorikisht të rreme. SHBA-ja vazhdon të mbështesin një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë", thuhet në deklaratë.

Qeveria spanjolle ka mohuar përfshirjen në komplotin e supozuar dhe ka kërkuar informacion mbi spanjollët e arrestuar.

Të martën, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares i kërkoi homologut të tij venezuelian, Yvan Gil të raportojë vendndodhjen e të burgosurve spanjollë dhe të shpjegojë akuzat kundër tyre, "siç kërkohet nga Konventa e Vjenës"./aa