Blerta Rama, nga sot do të jetë zv/ministrja e re në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Invacionit, Blendi Gonxhja, i cili njoftoi në rrjetet sociale se Rama kthehet në Shqipëri pas 11 vitesh emigrimi dhe përvoje akademike e profesionale jashtë vendit.

“Ajo kthehet e vendosur, me ëndrrën që misioni i saj në jetë të përkasë me vendin ku u lind, duke kontribuar me kompetencat e saj profesionale në shërbim të Shqipërisë”, bëri të ditur ai.

Blerta Rama është diplomuar në Menaxhimin e Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Brescia-s në Itali, duke e specializuar profilin e saj profesional me dy mastera ekzekutivë: një në “Menaxhimin e transformimit digjital” në Brescia dhe një tjetër në “Menaxhimin e projekteve” në Milano.

Me një profil që i përket botës ekonomike dhe financiare, por njëkohësisht e pasionuar pas politikës ndërkombëtare, në tetor të vitit 2023 ajo mori vendimin për të ndjekur masterin e saj të tretë ekzekutiv në CERIS-ULB Diplomatic School of Brussels në “Politikat Ndërkombëtare”.

Blerta Rama ka përvojë profesionale në Banka Mediolanum, ku ka marrë pjesë në zhvillimin e shërbimeve të projektit fintech “Flowe” dhe ka menaxhuar aktivitete kontabël.

Në Deloitte Business Solutions, ajo ka mbajtur rolin e këshilltares financiare në fushën e Teknologjisë dhe Performancës për Institucionet Financiare.

Eksperienca e saj e fundit si “Menaxher financiar dhe projekti” në Corporate Venture ka qenë thelbësore për krijimin dhe analizën e planeve strategjike për startup-et./ata