Dhjetë nga kompanitë më të mëdha që operojnë në Shqipëri Titan Albania, Philip Morris International, Deloitte, Grant Thornton, Intracom, Coca-Cola Bottling Shqipëria, Balfin Group, Vodafone Albania, Kastrati Group dhe Alumil janë bashkuar në krijimin e “Albanian ESG Network”.

“Albanian ESG Network” u lançua gjatë punimeve të Konferencës Rajonale “Balkanomics” ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, publike, investitorë të huaj, përfaqësues të sektorit privat, organizata të huaja, ekspertë të zhvillimit ekonomik etj

Presidenti i Albanian ESG Network, Mario Bracci, u shpreh gjatë lançimit se kjo është një përpjekje që synon të transformojë mënyrën se si kompanitë operojnë në mënyrë të përgjeshme në zbatim të standardeve europiane duke ndihmuar në një emancipim të ndeshëm të tregut dhe duke e pregatitur këtë të fundit dhe operatorët ekonomik për terrenin sfidues të Bashkimit Europian.

“Si komunitet biznesi, ne e dimë se qëndrueshmëria kur nuk krijon vlerë nuk ka asnjë ndikim. Gjithashtu, sfidat përpara nuk mund të zgjidhen vetëm përmes rregullimit duhet më shumë se kaq. Së bashku, ne mund të ndërtojmë kapacitetet e nevojshme për të transformuar përputhshmërinë në një katalizator për ndryshime domethënëse.

Shfrytëzimi i fuqisë së sektorit privat për të inovuar dhe zhbllokuar investimet thelbësore është një përpjekje me rëndësi. Në këtë frymë, ne jemi krenarë që ndajmë misionin, vizionin dhe synimet tona. Ato pasqyrojnë dëshirën tonë për të kapërcyer hendekun midis ambicies, normave dhe veprimit, duke demonstruar përkushtimin tonë për të nxitur një të ardhme të qëndrueshme” u shpreh Bracci.

Misioni i Rrjetit Shqiptar ESG është të përafrojë axhendën e Shqipërisë me zhvillimet e BE-së për zbatimin e standardeve ESG (Mjedisore, Sociale dhe Qeverisjen e Mirë), ndërsa vendi përparon me integrimin e tij në BE.

Rrjeti synon të lehtësojë integrimin gradual të praktikave të ESG në sektorin privat duke angazhuar biznese të të gjitha madhësive, duke ndërtuar një bazë të dhënash të fuqishme specifike për sektorin, duke identifikuar mundësitë e optimizimit dhe duke koordinuar përpjekjet me Qeverinë Shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë për të kontribuar në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Shqipërisë./Scan