Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, priti në një takim përfaqësuesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në Shqipëri (FAO), Raimund Jehle.
Përfaqësuesit e FAO u shprehën se kanë si qëllim të organizojnë në Tiranë në tetor 2024, Samitin Parlamentar Rajonal të FAO, që synon të fokusohet në rolin dhe kontributin e organeve legjislative të Evropës dhe Azisë Qendrore në qeverisjen me efikasitet të sistemeve ushqimore.
Parlamentarë nga rajoni, vende anëtare të BE dhe jo vetëm, do të flasin për ushqimin, për transformimet e zinxhirit ushqimor, për mbështetjen në bujqësi, impaktin e fortë të ndryshimeve klimatike edhe në këtë pjesë, për nevojën për të siguruar qasjen e duhur dhe për të adoptuar standarde e zgjidhje të reja.
Gjatë takimit me Raimund Jehle, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, shprehën angazhimin për pritjen dhe mbarëvajtjen e këtij samiti në Tiranë./ata