Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po avokon që të jetë e pranishme edhe në Parlamentin Europian, sigurisht jo me eurodeputetë që do të kenë të drejtën e votës por me ekipet e saj të cilat do të fillojnë të përgatiten për fazën e ardhshme kur vendi të ketë eurodeputetët e tij në Parlamentin Europianë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Brukseli me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, Rama u shpreh se Shqipëria duhet të jetë aty me një status të caktuar për të pritur pastaj eurodeputetët shqiptarë.

Ndërsa duke folur për Komitetin e Përbashkët Konsultativ, Rama tha se nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit.

“Ndërkohë që e kemi këtë nismë edhe si projekt pilot dëshirojmë që ajo të zgjatet dhe zgjerohet. Sot duke u bazuar në këtë përvojë kaq fantastike dhe në këto rezultate kaq të prekshme për të gjithë, që do të thotë që të dyja palët po buzëqeshin, askush nuk është nervoz, përkundrazi janë shumë të kënaqur me punën që është bërë. Atëhere një kërkesë me shkrim për Presidenten Von der Leyen me 152 kërkesa për të patur mundësi për të qenë pjesë e 152 nismave e drejtimeve të tjera. Kjo duhet të jetë e ardhmja”, tha Rama.

“Mënyra se si e kuptojmë ne është se nuk mund të jetë thjesht një hapësirë apo një periudhë kohore ndërmjet hiçgjësë dhe gjithçkaje. Sepse kur një vend është në procesin e anëtarësimit në BE, me pak fjalë je në zonën e hiçgjësë, por kur je anëtar ke gjithçka. Pra diku në mes të këtyre të dyjave diçka duhet të ndryshojë”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se në fakt diçka po ndryshon dhe kjo në sajë të vullnetit të mirë të këtij Komiteti dhe të kësaj ane këtu në Bruksel.

“Për ta kuptuar këtë mund t’ju përsëris që kemi Planin e Rritjes si edhe po bëjmë diskutime të tjera për integrimin gradual në BE. Ajo që po bën Presidenti Röpke dhe ekipi i tij dhe që e ka përkufizuar tashmë në një status të ri që është me pak fjalë anëtarët e vendeve të zgjerimit ose kandidatët, duke qenë pjesë e këtij Komiteti edhe pse nuk jemi vend anëtar, ky është drejtimi në të cilin ne duhet të shkojmë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ajo që kërkojmë ne është që të bëhemi gjithnjë e më shumë pjesë e këtyre organeve të BE-së, jo për shkak të parave, por për ekspertizën”.

“Kjo gjë për faktin që ne do të kuptojmë më mirë se cila është e ardhmja kur të bëhemi shtet anëtar dhe për këtë nevojë që ne kemi për të fuqizuar lidhjet tona me anën e një pune të vërtetë nga të dyja palët”, tha Rama./ata