Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli se “procesi i integrimit në Bashkimin Europian është në fakt një proces i fuqizimit demokratik të shtetit, ndaj dhe ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë për veten tonë”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, Rama u ndal te marrëdhëniet me BE-në.

“Nuk e kam krahasuar BE-në me Godonë. Unë thashë që BE duket si Beckett që po shkruan skenarin, kështu që këtë thashë atëherë. Ky është një moment tjetër kështu që Bashkimi Europian ka lëvizur tashmë nga të qenit Beckett për ne dhe do të thosha që BE ndodhet tashmë në një periudhë të letërsisë romantike franceze. Po të shikojmë si do të ecin punët por në këto faqe të kësaj letërsie ndihemi më mirë seç ndiheshim tek Beckett”, tha Rama.

Ndërsa duke u ndalur te hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria drejt integrimit në BE, Rama tha se “nuk ka ndonjë gjë që ata që duan të bëhen anëtarë, të mund të zgjedhin dhe çfarë duhet bërë”.

“Quhet negocim, por në fakt nuk është më një negocim i fortë ky, është më shumë detyra shtëpie që na diktohen ne nga ky kryeqytet. Pra ky është realiteti. Ne nuk mund të themi ‘dëshirojmë të bëjmë këtë gjë apo atë gjë’. Thjesht duhet të bëjmë atë qe ata na kërkojnë ne që të bëjmë”, shtoi ai.

Por, sipas kryeministrit, gjëja më e rëndësishme është që duhet ta bëjmë këtë gjë për veten tonë dhe jo për ta.

“Sepse duke bërë gjithçka që kërkon prej nesh procesi i anëtarësimit, do të thotë që ti bën diçka të jashtëzakonshme dhe shndërruese, tërësisht shndërruese për vendin tënd dhe institucionet tona, për qytetarët tanë, që do të thotë që ky proces është në fakt një proces i fuqizimit demokratik të shtetit. Për këtë arsye, kushdo që është i bekuar që tashmë është në mes të Europës po pa qenë pjesë e Bashkimit Europian ka këtë mjet të rëndësishëm që i ofrohet nga procesi i integrimit të cilën vende të tjera, në kontinente të tjera nuk mund ta kenë dhe kjo është arsyeja se kur ne flasim për demokraci funksionale si momenti përkufizues për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ne flasim për diçka shumë realiste dhe jo për demokracinë që të funksionojë në Afganistan apo gjetkë, sepse ne kemi BE-në, ata nuk e kanë”, tha ai.

I pyetur mbi sfidat që ka përpara ky proces, Rama tha se ka dy sfida, “ku njëra është ajo që duhet të bëjmë ne për çfarë pritet nga ne dhe çfarë është e parashikueshme”.

“Sfida tjetër është me çfarë do të duhet të përballemi në të ardhmen, pra çfarë është e paparashikueshme, që do të thotë kur ti punon me Komisionin Europian dhe çdo gjë ndodh sipas rregullave, gjithçka është e parashikueshme, por kur pastaj duhet të shkojmë te Këshilli Europian kemi paparashikueshmëri. Pra sfida është që ne të dimë, këto dy gjëra sa do të bëhen bashkë në një moment të caktuar, në momentin kur ne do të jemi gati për të përfunduar detyrat tona të shtëpisë. Sepse ju e dini se si shkojnë gjërat ndonjëherë. Ti i ke bërë detyrat e tua, por kati tjetër më lart nuk është gati as të të presë, e pastaj çfarë ndodh? S’bën dot gjë”, tha ai.

“Pra, le të shikojmë nëse yjet do të jenë të linjëzuara ashtu siç duhet, që edhe kur të jemi ne gati, edhe kur të jenë ata gati, të jetë i njëjti moment. Megjithatë, ka ende kohë për të arritur në këtë moment. Për momentin, ne thjesht duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe më duhet të them që ka një ndryshim dramatik sa u përket kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar dhe kjo që nga momenti që Vladimir Putini i zgjoi fuqimisht me atë që ndodhi. Më vjen keq që na u desh ai që të zgjoheshin nga gjumi institucionet e BE-së po ja që tashmë të gjithë janë zgjuar dhe shpresoj që të mos i zërë sërish gjumin në të ardhmen në rast se përfundon lufta, ashtu siç në fakt dëshirojmë të gjithë që të përfundojë lufta”, shtoi Rama./ata