Kuvendi miratoi sot ligji për studentët e Mjekësisë në Universitetin Publik, me ndryshimet e bëra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi pjesërisht versionin e parë të ligjit që i detyronte studentët që për 5 vite pas diplomimit të mos largoheshin për të punuar jashtë vendit duke iu mbajtur 'peng' diplomën.
Me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër u miratua Projektligjin "Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023, "Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë "Mjekësi e Përgjitshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë". 61 deputetë të pranishëm nuk votuan. Deputeti i PD-së Gëzim Ademaj abstenoi.
Sipas ndryshimeve që u miratuan sot në Kuvend studentët e mjekësisë mund të lidhin një kontrate që i detyron që të punojnë në Shqipëri për të paktën 3 vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit.
Me ligjin e ri studentët e vitit të parë duhet të punojnë 3 vite pas diplomimit, studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë një vit.
Studentët që firmosin kontratën duhet të ofrojnë shërbim të detyrueshëm për këto vite dhe diploma u jepet pasi mbarojnë këto vite punësimi të detyrueshëm. Ndryshimet ka të bëjë dhe sa i takon punësimit. Mjekët që licensohen kanë prioritet të punësohen në institucionet shëndetësore publike brenda harkut 3 mujor. Nëse kjo nuk ndodh në bazë të nevojave që ka sistemi këta mjekë mund të paguhen me 80 % të pagës së mjekut të thjeshtë.
Ligji i rrezuar pjeserisht nga Gjykata Kushtetuese
Me ligjin e vjetër që u rrezua pjeserisht nga Gjykata Kushtetuese, më 25 janar 2024 vitet e punës ishin deri në 5 vjet. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese vuri në dukje dhe mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e pagesës së periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
Çfarë kërkoi Gjykata Kushetuese?
Me vendimin nr. 1 datë 25.1.2024 të Gjykatës Kushtetuese kërkoi
Të rishikohen afatet e përcaktuara në nenin 4 të ligjit nr. 60/2023 deri në një kufi jo më të gjatë se sa tre vjet.
Duhet të rishikojë me qëllim që të garantojë parimin e proporcionalitetit të ndërhyrjes edhe afatet e tjera tre dhe dyvjeçare të përcaktuara respektivisht në pikën 2, shkronjat “a” dhe “b”, dhe pikën 3, shkronjat “a” dhe “b” të nenit 4 të ligjit nr. 60/2023./Shqiptarja