Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se ka ardhur koha që në Shqipëri të fillojë puna për hartimin e Kodit të ri Civil.

 

Në një tryezë me përfaqësues të biznesit, Manja bëri të ditur se Kodi Civil është miratuar në vitin 1995, ndërsa Kushtetuta është e vitit 1998.

 

“Praktika ka ecur përpara, dinamika e marrëdhënieve shoqërore dhe juridiko-civile sot kanë avancuar shumë. Shqipëria është në proces përafrimi të legjislacionit me BE-në. Kështu që është sugjerimi i duhur që Ministria e Drejtësisë të fillojë nga puna për hartimin e Kodit të ri Civil”, shtoi ai.

 

Ndërkohë, Manja informoi edhe mbi ecurinë e hartimit të Kodit të ri Penal.

 

Sipas tij, grupi i punës i ngritur për hartimin e Kodit të ri Penal ka tashmë një produkt.

 

“Ka përfunduar një pjesë e përgjithshme e Kodit Penal. Deri në fund të korrikut grupi i punës do të përfundojë edhe pjesën e posaçme dhe ne do të kemi një draft të hapur për konsultime”, tha ai.

 

Sipas Manjës, Kodi Penal është një reformë politiko-juridike dhe edhe ky Kod është hartuar në vitin 1995. “Kemi ndërhyrë 38 herë në Kodin Penal”, tha ai.