Ritmet e emigrimit, të paktën përmes kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Europian janë ngadalësuar ndjeshëm në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Eurostat bënë të ditur se për periudhën janar-qershor kishte 2830 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë, me rënie prej 21.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2023.
Në raport me 2022, kur u shënua dhe vala më e fortë e emigrimit të pas pandemisë, aplikimet për azil janë 42% më të ulëta. Shteti kryesor ku drejtohen shqiptarët për të kërkuar azil ka kaluar Italia, e cila për 6-mujorin ka pritur 31% të aplikimeve, ose 885 të tilla.
Vitet e fundit, më e preferuara ishte Franca, për shkak të politikave të saj sociale. Për 6 mujorin e parë, aplikimet për azil në Francë ishin 790, nga 1360 në 6 mujorin e një viti më parë, me pothuajse përgjysmim.
Rënie kishte dhe në kërkesat drejt Gjermanisë me 550 në 6 mujorin e parë 2024, nga 785 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në qershor 2024, 70 375 aplikantë për azil, qytetarë jo të BE-së aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, një rënie prej 17 për qind krahasuar me qershorin e një viti më parë. Kishte gjithashtu 6 540 aplikantë përsëritës, që përfaqëson një rritje prej 6% krahasuar me qershorin 2023 (6 185).
Grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil në qershor 2024 ishin sirianët, me 10 165 aplikime për herë të parë, ndjekur nga venezuelianët (6 340) dhe afganët (5 930).
Gjermania (16 770), Spanja (14 855), Italia (11 685) dhe Franca (10 510) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për herë të parë për azil në qershor 2024, duke përbërë 76% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE-së.
Në qershor 2024, totali i BE-së i aplikantëve për herë të parë për azil ishte 15.7 për njëqind mijë njerëz. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2024), normat më të larta të aplikimeve për herë të parë u regjistruan në Greqi (45.4), e ndjekur nga Spanja (30.6) dhe Irlanda (26.2).
Në qershorin e këtij viti, 2 395 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, ku shumica e tyre vinin nga Siria (675), Afganistani (405) dhe Egjipti (255). Vendi i BE-së që mori numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishte Gjermania (725), përpara Bullgarisë (300), Greqisë (290), Holandës (260) dhe Spanjës (255)./Dosja