Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në e-Albania nxënësit e klasës së 10-të, mund të transferohen nga arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat e arsimit profesional.

“Tanimë kalimi nga Arsimi i mesëm i Përgjithshëm në atë Profesional është i mundur. Je në kohë për tu bërë profesionist i së ardhmes, duke transferuar studimet e tua në një nga shkollat profesionale, fare lehte përmes e-Albania në shërbimin “transferimi i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë””, u shpreh Gonxhja.

Ndërkohë që regjistrimi në shkollat e mesme profesionale mbyllet në fund të këtij muaji.

Sistemi i arsimit dhe formimit profesional publik përbëhet nga 41 institucione nga të cilat 31 shkolla profesionale dhe 10 qendra formimi të cilat ofrojnë kualifikime profesionale të mesme pas të mesme dhe afatshkurtra, për të gjitha moshat.

Arsimi i mesëm profesional i ofron një individi mundësi kualifikimi të nivelit II, III, IV të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve nga punonjës të kualifikuar në teknik të mesëm në fushën përkatëse të studimit.

Institucionet e arsimit të mesëm profesional publik ofrojnë 22 drejtime studimi dhe 83 mundësi profilizimi.

Në krahasim me arsimin e përgjithshëm, arsimi profesional ofron një fokus më të thellë në një fushë të caktuar dhe përgatit studentët për profesione specifike. Ky lloj arsimimi përqendrohet në aftësitë praktike dhe zgjerimin e njohurive të aplikueshme në vend të njohurive teorike të gjerësisë së lëndëve.

Pas përfundimit të këtij programi, studentët marrin një certifikatë ose një diplomë profesionale, që i jep atyre mundësinë për t’u integruar direkt në tregun e punës si specialist në fushën përkatëse të studimit.

Ata gjithashtu mund të vazhdojnë studimet e larta në arsimin profesional ose ato universitare./ata