Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti sot në një takim ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, së bashku me konsullin e Nderit të Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza.

Beci bëri të ditur se gjatë takimit u theksuan lidhjet historike mes Shkodrës dhe Austrisë, të cilat datojnë prej shekujsh.

“Së bashku folëm për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, shtoi Beci.

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Austrisë dhe Shqipërisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit.

Veçanërisht sistemi bankar dhe ai i sigurimeve ( rreth 70% të aksioneve në treg) dominohen aktualisht nga biznese austriake. Me vënien në funksion të hidrocentralit ASHTA në veri të Shqipërisë, Austria përfaqësohet në Shqipëri edhe në fushën e energjetikës.

Austria gjatë viteve të fundit renditet në vendet kryesuese të listës së investimeve të huaja në Shqipëri.

Aktualisht shuma e investimeve austriake në Shqipëri përbën një shifër prej 554 milionë eurosh. Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 ndërmarrje me kapital austriak (përfshirë edhe ndërmarrjet me kapital të përbashkët).

Gjithashtu edhe në fushën e turizmit ka një potencial të madh zhvillimi. Numri i turistëve austriakë që vizitojnë çdo vit Shqipërinë po rritet gjithmonë e më shumë./ata