Në epokën dixhitale, shqetësimet për sigurinë e të dhënave personale vazhdojnë të mbeten një ndër problemet kryesore për shqiptarët. Të dhënat nga “Barometri i Ballkanit” për vitin 2024 tregojnë se shqetësimi kryesor për shqiptarët në lidhje me përdorimin e mjeteve dixhitale dhe internetit është krimi kibernetik, veçanërisht vjedhja e të dhënave personale. Me një përqindje prej 61%, shqiptarët renditen si populli më i shqetësuar në rajon, ndjeshëm më lart se mesatarja rajonale që është 46%.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar nivelin e shqetësimit në vendet e tjera të Ballkanit përsa i përket krimit kibernetik. Sipas shifrave në Bosnje Hercegovinë, vetëm 47% e popullsisë raportojnë frikë nga këto krime, ndërsa në Mal të Zi kjo përqindje bie ndjeshëm në 30%.
Një tjetër shqetësim në nivele të larta është siguria e fëmijëve online. Edhe këtu, shqetësimi i shqiptarëve është i lartë, me 59% të personave që e cilësojnë këtë çështje si problematike. Pas saj, renditen Kosova dhe Serbia me 49% dhe 41% të popullsisë që shfaqen të shqetësuar për rreziqet që fëmijët ndeshin në internet.
Në të kundërt, Maqedonia e Veriut është më pak e ndjeshme mbi këtë fenomen. Ajo që vihet re është se në vende si Shqipëria, Kosova, dhe Serbia përqindja është dukshëm më e lartë krahasuar me mesataren rajonale prej 42%. Nga ana tjetër, shqiptarët renditen të dytët në rajon përsa i përket frikës se mund të humbasin punën për shkak të inteligjencës artificiale.
Nëse e krahasojmë këtë situatë me të dhënat e vitit të kaluar, tendencat mbeten thuajse të njëjta, megjithëse është e dukshme një rritje e përgjithshme e shqetësimit. Në vitin 2023, rreth 50% e shqiptarëve raportuan frikë nga krimet kibernetike, por në 2024 kjo shifër u rrit me 11%. Kjo rritje mund të shpjegohet me rritjen e numrit të raportimeve për sulme kibernetike apo raste të vjedhjes së identitetit që kanë dominuar titujt e mediave kohët e fundit.
Megjithëse ka patur përmirësime në infrastrukturën dixhitale dhe ndërgjegjësim mbi sigurinë online, mbetet e qartë se shqiptarët nuk ndihen mjaftueshëm të mbrojtur./Scan