Për herë të parë në Tiranë është zhvilluar konferenca e 16-të Vjetore e Rrjetit Europian të Autoriteteve Zyrtare për Dosjet e Policisë Sekrete. Në fokus ishin diskutimet rreth çështjeve që lidhen me procesin e shqyrtimit të dosjeve të ish-policive sekrete, si një proces i pashmangshëm pas rënies së diktaturave në Europën Qendrore dhe Lindore.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave, përballimi i sfidave profesionale si dhe bashkëpunimi për narrativë të përbashkët europiane
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e Autoriteteve Përgjegjëse nga Gjermania, Bullgaria. Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Rumania dhe Hungaria, të cilët diskutojnë dhe ndajnë përvojat e tyre në menaxhimin e dokumenteve të ish-policisë sekrete dhe institucioneve represive, në tematikën e radhës : “Vizion i përbashkët – aksione sinergjike”.
Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, në fjalën e saj të mirëseardhjes u shpreh se, ky është një moment kritik, kur vlerat evropiane dhe euroatlantike të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut përballen me sfida të mëdha.
“Pamë ndër vite se si injoranca dhe mospranimi i së kaluarës së errët mund të sjellë pasoja të rënda, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë. Duke u mbledhur këtu, ne riafirmojmë angazhimin tonë të pandalshëm për të zbardhur arkivat e trashëguara nga ato regjime. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por është një mision i rëndësishëm për të ndërtuar një kulturë të përkujtimit. Kjo kulturë e përkujtimit është thelbësore jo vetëm për vendet tona, por për të gjithë botën, për t’i dhënë fund injorancës së të kaluarës dhe për të parandaluar përsëritjen e errësirës së diktaturave”, tha Sula.
“Në këtë konferencë, ne do të ndajmë me njëri-tjetrin sfidat dhe arritjet tona. Do të diskutojmë mënyrat më efektive për t’i sjellë në dritë ato arkiva, për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun dhe për t’i përdorur ato si mësime të rëndësishme për të ardhmen. Vetëm duke punuar së bashku, duke ndërtuar partneritete dhe përkushtuar burimet tona, mund t’i japim drejtësi të vërtetë viktimave dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, u shpreh ajo.
Sula shtoi se, kjo mbledhje përkon me përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, një ngjarje historike që i hapi rrugë ndryshimeve për liri dhe të drejta njerëzore në vendet tona.
“Kjo na kujton se sa e brishtë mund të jetë demokracia dhe se sa shumë kemi për të mësuar nga e kaluara. Në këtë kontekst, dua të mirëpres në mënyrë të veçantë anëtarin më të ri të këtij rrjeti – Ukrainën. Ukraina po përballet me sfida të tmerrshme, të cilat rrjedhin nga injoranca dhe mosballafaqimi me krimet e një sistemi gjakatar si ai i ish-Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë”, tha Sula.
Zhvillimet e konferencës i përshëndeti edhe Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut dhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.
Ambasadori Gjerman ne Shqipëri u shpreh se, “është e rëndësishme për mbarë-shoqërinë që të shërohet dhe të kuptojë të shkuarën dhe mekanizmat e funksionimit të atij sistemi por dhe të krijojmë kulturën e kujtesës dhe përballjes me të shkuarën brenda shoqërive tona.”
Mbi sfidat e krijimit të arkivës me dokumente të Ish-Sigurimit të Shtetit, kuadri legjislativ si dhe bashkëpunim me institucionet publike për të pasurimin e fondit, foli Drejtori i Arkivës, në AIDSSH.
Ndërsa për ecurinë e procesit të digjitalizimit të dokumentacionit arkivor dhe prezantimin e softuerit të arkivës digjitale, referoi Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit, Sofi Noti.
Mbi “Rolin i dokumenteve Ish-Sigurimit të Shtetit në rindërtimin e të kaluarës historike totalitare të Shqipërisë”, referoi Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi dhe Prof. asoc. dr. Sonila Boçi nga Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Ndërsa Prof. Dr. Aljula Jubani, Drejtoreshë e Institutit për Studime Evropiane në Universitetin e Tiranës analizoi “Procesin e kthimit të dosjeve të policisë sekrete në materiale edukative. një qasje në të cilën AIDSSH po përparon në drejtim të edukimit të brezave të rinj me ngjarje të së kaluarës sonë komuniste përmes organizimit dhe ngritjes së Platformës “Mësojmë nga e kaluara- burime të hapura arsimore 1994-1991”.
Konferenca vijoi me trajtimin e çështjeve që lidhen me bashkëpunimit brenda rrjetit. Diskutojnë përfaqësuesit nga Bullgaria, Sllovakia ,Gjermania, Hungaria, Polonia, Rumania.
Rezoluta përfundimtare e konferencës do të mbahet pas vizitës në Arkivën e Dokumenteve të Ish-Sigurimit të shtetit dhe do të përcaktojnë hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe do të vendosë piketat për projektet e ardhshme të rrjetit, duke përfshirë zhvillimin e një platforme të përbashkët digjitale dhe zbatimin e strategjive të reja për edukimin dhe informimin publik./ata