Shkollat e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri kanë organizuar maratonën "Rikthim në shkollë”, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Maratona është realizuar me nxënës të shkollave të Fondacionit Maarif në Shqipëri, në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, me qëllim që të motivojë të rinjtë për një fillim të mbarë të vitit shkollor dhe të promovojë rëndësinë e një jete të shëndetshme. 
Në një njoftim nga Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri thuhet se janë mbledhur për të "festuar emocionin e rikthimit në shkollë, por edhe për të theksuar rëndësinë e sportit në jetën tonë". 
"Si Maarif Albania, ne bindshëm besojmë në rolin që luan sporti përgjatë arsimimit në zhvillimin e të rinjve tanë. Për këtë arsye, i kushtojmë shumë rëndësi projekteve arsimore dhe sportive në Shqipëri", thuhet në njoftim. 
Në nisje të maratonës, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, mbajti një fjalë përshëndetëse, ndërkohë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës turke në Tiranë, përfaqësues të institucioneve të tjera turke në Shqipëri dhe të organizatave të ndryshme. 
Në përfundim të maratonës u ndanë disa çmime, por edhe dhurata. 
Maratona u organizua me mbështetjen e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës. 
Viti i ri shkollor në Shqipëri u hap më 9 shtator. Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër./aa