Atletja nga Shqipëria, Luiza Gega, ka triumfuar në kategorinë e femrave në Maratonën “Prishtina 2024” duke thyer edhe rekord kombëtar.
Garuesja shqiptare, Gega, triumfoi në garën 42 kilometra me kohë 2 orë e 35 minuta e 7 sekonda.
Gega për herë të parë ishte pjesëmarrëse e kësaj ngjarje që u zhvillua në Kosovë dhe që në pjesëmarrjen e parë ajo triumfoi duke shfaqur performancë të lartë dhe duke mposhtur garues eminentë nga Kenia dhe vende të tjera.
“Nuk jam shumë për maratonë, por mendoj se ka ardhur koha të testohem në garat e rrugës. Ky është një fillim i ri për mua. Sot vendosa rekord shtetëror për Shqipërinë. E shijova shumë itinerarin e garës. Organizimi ishte shumë i mirë”, theksoi Gega.
Në konkurrencën e meshkujve vendet e para i zunë atletët nga Kenia.
Garuesi kenian, Shedrack Kiptoo Kimaiyo, arriti në cak për kohën 2 orë e 25 minuta në shtegun prej 42 km.
Edhe në shtegun prej 21 kilometrave fitoi garuesi tjetër nga Kenia, Kennedy Kipkemoi Rono për kohën 1 orë e 5 minuta.
Mbi 500 atletë nga e mbarë bota, morën pjesë në maratonën që u zhvillua në qytetin e Prishtinës në gara të disiplinave 2 kilometra, 5 kilometra, 10 kilometra, 21 kilometra dhe 42 kilometra.
Risia e edicionit të 23-të të maratonës “Prishtina 2024” ishte pjesëmarrja e kampiones së Evropës në 3 mijë metra me pengesa, Luiza Gega, e cila vrapoi për herë të parë në disiplinën 42 kilometra.
Maratona “Prishtina 2024” u zhvillua nën organizimin e Federatës Atletike të Kosovës me moton “Vrapo pa kufi”./aa