Katër fëmijë palestinezë dhe nëna e tyre humbën jetën si pasojë e bombardimit të një shtëpie nga ushtria izraelite në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi se avionët luftarakë izraelitë shënjestruan shtëpinë e familjes Abu Semek përreth spitalit "Dëshmorët e Al-Aksës" në qytetin Deir Al-Balah.
Në sulmin e ushtrisë izraelite humbën jetën 4 fëmijë palestinezë dhe nëna e tyre si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Helikopterët e ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës, hapën zjarr ndaj shtëpive në lagjen Al-Zeitoun ndërsa edhe lagjet në pjesën jugperëndimore të qytetit u shënjestruan nga njësitë e artilerisë së Izraelit.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 41.431 palestinezë, përfshirë të paktën 16.795 fëmijë dhe 11.378 gra ndërsa janë plagosur 95.818 të tjerë.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata./aa