Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu ka bërë të ditur se Ankaraja dhe Moska ranë dakord të heqin pengesat ndaj eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore.

 

"Korridori i drithërave është dëshmi se dialogu dhe negociatat po funksionojnë. Ne i kushtojmë rëndësi vazhdimit të marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme edhe në aspektin e reduktimit të krizës botërore ushqimore. Ne ramë dakord se pengesat ndaj drithërave dhe eksporteve ruse gjithashtu duhet të hiqen. Ne mbështesim përpjekjet për të hequr këto pengesa", tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

 

Çavuşoğlu gjithashtu tha se është e rëndësishme të sigurohet edhe dërgesa e amoniakut dhe plehrave bujqësore ruse.

 

Ministri turk njoftoi se mbi 27 milionë tonë drithëra janë transportuar në 866 anije përmes korridorit të drithërave të Detit të Zi, që Türkiye ndihmoi duke ndërmjetësuar vitin e kaluar në një përpjekje për të shmangur një krizë të mundshme ushqimore në mes të luftës Rusi-Ukrainë.

 

Më 22 korrik, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë në muajin shkurt të vitit të kaluar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

 

"Lufta, e cila ka më shumë se një vit, vazhdon të dëmtojë mbarë botën. Ne edhe një herë theksuam pritjen tonë që lufta të përfundojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe përmes negociatave. Ne po përpiqemi ta zgjidhim problemin duke negociuar me të dyja palët", tha shefi i diplomacisë turke.

 

Türkiye, e vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, vazhdimisht ka kërkuar nga Kievi dhe Moska që t'i japin fund luftës përmes negociatave.