Partitë Politike dhe Shoqatat e Diasporës kanë në dorë për konsultim një listë me rregulla të shkruara nga KQZ mbi votimin nga jashtë. Sipas draftit, shqiptarët që jetojnë jashtë do të regjistrohen vetëm online përmes një aplikacioni të krijuar nga KQZ, të cilin duhet ta shkarkojnë.

Krijimi i një llogarie të personalizuar në atë aplikacion do të bëhet me tre elementë sigurie:
-skanimi i fytyrës nga kamera e kompjuterit ose e telefonit,
vendosja e numrit të identifikimit  personal
vendosja e 1 kodi të cilin KQZ do t’jua dërgojë në telefon, ose me email.

Më pas, votuesi duhet të plotësojë të dhënat e tij, si dhe duhet të skanojë një pasaportë apo kartë identiteti shqiptare, të vlefshme.

Më tej, emigranti duhet të provojë që jeton në adresën e deklaruar jashtë territorit të Shqipërisë duke ngarkuar të paktën një nga këto dokumente:
- Certifikatë pronësie të banesës;
- Vërtetim banimi
- Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;

Kontratë kredie për blerje të banesës;

- Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë, gaz, energji elektrike, telefon, internet në atë banesë;

- Kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;

Të drejtë vote dhe për ata që janë në kamp emigracioni apo në spital
Dokumenti i KQZ-së, ju lë hapësirë për të votuar edhe emigrantëve të paligjshëm apo të sëmurëve. Sepse do të pranohet si dokument për regjistrim, çdo dokument të lëshuar nga organi kompetent, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp Emigracioni.

Brenda 5 ditëve KQZ do t’i njoftojë nëse regjistrimi i tyre u pranua, e nëse ka gabime, do t’ju jepet një shans  i dytë për korrigjime. Pas kësaj, ata do të hiqen nga lista e zgjedhësve në Shqipëri, dhe do të jenë në listën e veçantë të zgjedhësve nga jashtë.

Sipas këtij pr/vendimi regjistrimi nis 120 ditë para zgjedhjeve dhe mbyllet 68 ditë para zgjedhjeve. 

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, nga këtu e vijim në këtë vendim referuar si “PER” e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PER është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë“, sqarohet ne projektvendim.

Sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, projektvendimi thotë se është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

“Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin. Në çdo rast, KQZ-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit për çdo palë zgjedhje” thuhet në dokument./Shqiptarja