Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.
Gashi dhe Spiropali zhvilluan një takim tet-a-tet, ndërsa më pas u mbajt edhe takim mes delegacioneve. Spiropali gjithashtu u nënshkrua në Librin e Përshtypjeve, ndërsa më pas u zhvillua një konferencë e përbashkët për media.
Gashi u shpreh se kjo vizitë paraqet një mundësi që përcillet mesazhi se miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.
"Vendet tona në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-si dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal. Mendoj se kjo është e mundur, duke pasur parasysh se shoqëritë tona po zhvillohen edhe më shumë dhe ka më shumë vullnet politik dhe hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit", tha Gashi.
Spiropali në fjalimin e saj u shpreh se niveli i marrëdhënieve mes dy vendeve është i shkëlqyer, duke shtuar se parlamentet e dy vendeve duhet të shërbejnë si instrumente dialogu që ndikojnë në përafrimin e mëtejshëm mes dy vendeve.
"Në Shqipëri ka një vëmendje të posaçme për të gjitha zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, pikërisht për rëndësinë gjithashtu të posaçme me të cilën i trajtojmë këto marrëdhënie", u tha Spiropali, duke shprehur gatishmëri të vazhdojnë me dialogun në të mirë të qytetarëve.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kryeparlamentarja shqiptare Spiropali u takua edhe me përfaqësues të opozitës, përfshirë Ali Ahmetin, kryetar i BDI-së dhe Venko Filipçen, kryetarin e LSDM-së.
Gjithashtu, në agjendën e Spiropalit gjatë qëndrimit të saj në Maqedoninë e Veriut është paraparë edhe takim me kryeministrin Hristijan Mickoski si dhe vizitë në Muzeun e Kongresit të Manastirit./aa