Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Liban që filluan mëngjesin e sotëm, numri i të vdekurve në pjesën jugore dhe lindore të vendit është rritur në të paktën 356, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sipas shifrave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, në mesin e të vrarë janë edhe 42 gra dhe 24 fëmijë, përveç mbi 1.246 të tjerëve që u plagosën nga sulmet izraelite.

Më herët, ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Abiad, tha se sulmet ajrore izraelite detyruan mijëra njerëz të lëshojnë shtëpitë e tyre nga Libani jugor, veçanërisht ata pranë zonave kufitare, duke u drejtuar drejt veriut.

Autoritetet libaneze gjithashtu njoftuan se hapën shkolla dhe institucione të tjera për t’i akomoduar civilët e zhvendosur nga sulmet ajrore izraelite në jug të vendit.

Ministri libanez i Punëve të Brendshme, Bassam Mawlawi, tha se ai i udhëzoi guvernatorët që të bashkëpunojnë plotësisht me evakuimin masiv nga rajonet jugore.

Në mbrëmje, ushtria izraelite pretendoi se në 24 orët e fundit ka goditur mbi 1 mijë objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor dhe lindor.

Ushtria izraelite tha se përdori më shumë se 1.400 municione të ndryshme në rreth 650 fluturime të avionëve të saj luftarak mbi Liban.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, ku janë vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban pasi ato ngrenë spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajonin./aa