Për tre ditë, në datat 3-5 qershor 2024, Tirana mikpriti edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissiners-ICIC). Organizimi i ngjarjes vjetore më të rëndësishme botërore për nxitjen e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike, Albania XV ICIC, iu besua për herë të parë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Tema qëndrore e këtij edicioni ishte “Fuqizimi i individëve nëpërmjet aksesit në informacion, sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes në një botë të ndërlidhur”.
Punimet e Konferencës u përshëndetën nga i ftuari i nderit Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i cili në fjalën e tij theksoi se “e drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale. Për të mos pasur frikë nga drita, por për ta përqafuar dritën dhe për të punuar shumë më ngushtë me institucionet si Zyra e Komisionerit, si Avokati i Popullit, për të garantuar që të gjithë të kuptojnë pikë së pari nga brenda qeverisë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij në maksimum për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një ushtrim, një proces mjaft i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit”.
Në Ceremoninë e Hapjes së aktivitetit mbajti fjalë përshëndetëse Adrain Alcalá Méndez, President i Bordit të Komisionerëve të INAI, Meksikë dhe njëkohësisht, Kryetar i Komitetit Ekzektutiv të ICIC, i cili vlerësoi se “evolucioni i Shqipërisë drejt një shoqërie më të hapur, më demokratike dhe më përfaqësuese, është dëshmi e fuqisë transformuese të aksesit në informacion dhe transparencës”.
Të pranishmit u përshëndetën, nëpërmjet një video-mesazhi, nga Tawfik Jelassi, Asistent Drejtor i Përgjithshëm për Komunikimin dhe Informacionin në UNESCO, sipas të cilit “kjo Konferencë është një dëshmi e rëndësishme e angazhimit të qëndrueshëm të Shqipërisë në drejtim të respektimit të të drejtës për informim, transparencës dhe gjithëpërfshirjes në botën gjithnjë e më të ndërlidhur që po jetojmë”.
Në fjalën e tij, Giuseppe Busia, kryetar i Autoritetit Kombëtar Anti-Korrupsion të Italisë, në fjalën e tij theksoi se “pjesëmarrja në këtë Konferencë është tregues i angazhimit të përbashkët për të shqyrtuar rolin e rëndësishëm të aksesit në informacion në kuadër të transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies në nivel global.”
Të pranishmëve iu drejtua edhe Darian Pavli, gjygjtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut me seli në Strazburg, i cili tha se “fakti që ICIC mbahet në Tiranë dëshmon për progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka shënuar, sidomos në dekadën e fundit, në garantimin e të drejtës për informim dhe rritjes së transparencës së sektorit publik”.
Me pjesëmarrjen e mbi 200 përfaqësueve të shteteve/juridiksioneve anëtare apo vëzhguese të ICIC nga të gjitha kontinentet, të organizatave ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, UNESCO, Banka Botërore dhe OECD, nga bota akademike, shoqëria civile apo media, vendas dhe të huaj, përgjatë dy ditëve të Sesionit të Hapur, u zhvilluan 5 panele kryesore. Çështjet e trajtuara në to përfshinë diskutime për grantimin e ushtrimit të kësaj të drejte në kontekstin e grupeve vulnerabël, si dhe mbi ndërveprimin mes autoriteteve rregullatore të fushës me shoqërinë civile dhe median për ta bërë aksesin në informacion dhe transparencën sa më efektive – me pjesëmarrjen në panel edhe të përfaqësueses së Zyrës së Komisionerit.
Më tej, sipas agjendës, pjesëmarrësit patën mundësi të ndiqnin një panel të ndarë në dy seksione mbi dinamizmin e mjedisit digjital dhe iniciativave për të dhënat e hapura, si dhe për ekuilibrin që duhet mbajtur mes përparimit të aksesit në informacion dhe respektimin e të drejtave në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale – i moderuar nga përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit. Me interes për të pranishmit u ndoq edhe paneli kushtuar “Treguesit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm” të UNESCO, ku ndër të tjera është në fokus edhe miratimi i legjislacionit të fushës në sa më shumë shtetet në botë, si dhe ai në lidhje me të ardhmen e kësaj organizate për të nxitur zgjidhjet inovative për fuqizimin e të drejtës për informimim dhe transparencën.
Gjatë Sesionit të Mbyllur, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve anëtare/vëzhguese u raportua rreth veprimtarisë së 12 muajve të kaluara të rrjeteve rajonale dhe të grupeve respektive të punës mbi zhvillimet më të rëndësishme në këtë fushë. Autoriteti meksikan u rikonfirmua në krye të Komitetit Ekzekutiv të organizatës edhe në mandatin 2024-2027, ndërsa institucionet e Australisë dhe Kenias janë anëtarët më të rinj të këtij forumi për të njëjtën periudhë. Dy edicionet e ardhshme të Konferencë janë vendosur të mbahen në Gjermani në vitit 2025 dhe në Sierra Leone në 2026, në frymën e respektimit të parimeve të bashkëpunimit, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes së anëtarësisë së organizatës. Kjo Konferencë Ndërkombëtare shërben si platformë qëndrore për trajtimin e pikëpamjeve, sfidave dhe mundësive për të forcuar akoma edhe më shumë standardet në ushtrimin në praktikë të të drejtës për informim. Nga ana tjetër, ndërveprimi dhe bashkëpunimi me partnerët jashtë sferës publike është i rëndësishëm për të nxitur kulturën e transparencës, për institucione të përgjegjshme dhe llogaridhënëse për një shoqëri demokratike funksionale./ata