Ambulancat janë të pamjaftueshme për të transportuar të plagosurit në qytetin e Rafahut në jug të Rripit të Gazës, ku Izraeli vazhdoi sulmet e tij përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare.
Duke folur për Anadolu, oficerët e ambulancës thanë se automjetet vazhdojnë të transportojnë të lënduarit në spitalet e qytetit të Rafahut.
Zyrtarët deklaruan se ambulancat ishin të pamjaftueshme për të transportuar të plagosurit sepse numri i tyre është shumë i madh, dhe se ekipet e mbrojtjes civile kishin vazhduar përpjekjet e tyre të kërkimit dhe shpëtimit nën rrënoja që nga mbrëmë.
Korridoret e Spitalit Kuwait janë plot me të plagosur
Duke deklaruar se shumica e atyre që humbën jetën në sulmet izraelite ishin fëmijë, zyrtarët thanë se korridoret e Spitalit Kuwait ishin plot me njerëz të plagosur dhe se njerëzit po trajtohen në tokë.
Më shumë se 100 njerëz u vranë dhe qindra u plagosën mbrëmë në sulmet në qytetin Rafah, që ndodhet në kufirin egjiptian në jug të Rripit të Gazës, ku Izraeli i detyroi të zhvendosen, duke pretenduar se ishte një zonë e sigurt.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze gjithashtu njoftoi se Izraeli sulmet i ka përqendruar në qendrën e qytetit Rafah dhe se po shënjestrohen edhe shtëpitë e civilëve.
Drejtori i Spitalit Kuwait, Suhayb al-Hims tha se spitali është stërmbushur me të plagosurit me gjendje shumë të rrezikshme dhe se nuk kishte ilaçe dhe serum të mjaftueshëm./aa