Në rrugëtimin tënd njerëzor e krijues, miku im i pavdekshëm Odhise, krahas mirësive njerëzore; Bibliotekës shqipe dhe brezave të tashëm e të ardhshëm u dhurove opusin e gjerë të librave të tu të mrekullueshëm përmes gjuhë së bukur të Nanës Shqipe. Ky ishte dhe amaneti yt. Lexuesit e vegjël të kujtojnë përherë, teksa shfletojnë faqet e librave të tu me kërshëri, ëndje dhe kënaqësi... -
Librin e parë "Shtatë ngjyrat", shkrimtari Odhise K. Grillo (21 mars 1933 - 24 shtator 2003), një nga themeluesit e Letërsisë sonë për fëmijë e të rinj të pasçlirimit, duke mos harruar vitet si Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj; e botoi në vitin 1954, ndërsa libri i fundit i Shkrimtarit (pas vdekjes) është "Libri i Çudirave" (poemë, Sh. B. TOENA, Tiranë, 2007).
Duke u kthyer vite e vite më pas, e, duke njohur e studiuar vazhdimisht rrugëtimin letrar e krijues të autorit Grillo, e, duke "trokitur" në Fëmijërinë e tij, mësojmë se, (nga pohimet dhe rrëfimet e tij) "Me letërsinë për fëmijë u lidha që kur isha vetë fëmijë, në klasën e katërt. Atëherë kam shkruar vjershën e parë. Nuk ka qenë rastësi futja ime, por një dhuratë nga Zoti. Kur kam botuar poezinë e parë në "Pionieri", më 1947, në ëndërr m'u shfaq një bletë që më sillej rrotull kokës dhe një luan që më kishte kthyer kurrizin e më tundte bishtin. E mira, nëna ime, që thoshte se dinte të shpjegonte ëndrrat, kur ia tregova, më tha: "Bëju bletë, e jo bisht luani". Dhe unë u përpoqa të bëhem bletë në letërsinë për fëmijë (ka kokën, krahët, këmbët e ... mjaltin e vet...), dhe jo bisht luani në letërsinë për të rriturit".
Opusi tematik i trajtesave në krijimtarinë e gjerë e të larmishme të shkrimtarit varion: sa në historinë e hershme, pastaj të vonëshme e deri te aktualiteti; sa nga gjinia e epikës aq dhe te lirika; sa te ngjyra e përrallës autoriale e sa tek tradita e rrëfimit të përrallës popullore e shoqëruar me humor e ironi; sa te përshtatja e shumë veprave nga letërsia botërore sa te përkthimet dinjitoze të shumë autorëve botërorë për fëmijë që kanë lënë emër në botë; sa te loja e fëmijëria te dëshirat e ëndrrat e fëmijëve... etj., etj. Kjo është një pasuri e madhe, e vyer; është një testament që pak kush e ka në këto dimensione nga krijuesit e Letërisë shqipe për fëmijë e të rinj. E ka lënë të dokumentuar krijimtarinë cilësore shkrimtari nga Vunoi. Sigurisht, këndvështrimet janë të ndryshme për vlerësimin e këtij vargani të pafund librash... Ne, kësaj radhe, zgjodhëm për të trajtuar, sadopak, dy tema nga krijimtaria e shumëllojshme e tij: Loja dhe Fëmijëria në jetën dhe në letërsinë e shkrimtarit Odhise K. Grillo. Enkas, zgjodhëm disa libra që trajtojnë e pasqyrojnë këto dy tema, si tek veprat: - "Vogëlushi dhe treni" (poemë, Sh. B. "Naim Frashëri", Tiranë 1972); - "Zërat e fëmijërisë" (Sh. B. "Naim Frashëri", Tiranë, 1979); - "Valbona blen ylberin" (tregime në vargje, Sh. B. "Naim Frashëri", Tiranë 1981; Toena, Tiranë 2000; LOGOS-A, Shkup 2002); - "Nisuni pëllumbat e mi" (vjersha dhe poema, Sh. B. "Naim Frashëri", Tiranë 1985); - "Zërat e fëmijërisë" (vjersha e poema, Sh. B. "Naim Frashëri", Tiranë 1986); - "Mollëkuqja e fëmijërisë" (vjersha e poema, OMBRA GVG, Tiranë 2001)... etj. etj.
Loja që "shëtit" në poezitë dhe poemat e shkrimtarit, përherë i mëson, i edukon, i argëton fëmijët. Asnjëherë, gjatë leximit tim, nuk ndesha korniza skolastike, pllakateske e moralizuese. Brenda strukturave, figuracionit, konceptit etiko-moral dhe mesazhit Loja mbeti në fokusin e frymëzimit të poetit të shquar, funksion dhe pjesë e pandarë e jetës së fëmijëve-lexues. Po, ashtu, edhe Fëmijëria "shëtit" në poezitë dhe poemat e shkrimtarit: e gjallë, me ndjenjë malli, nostalgjie; përmes kujtimeve, amaneteve, duke mbetur "personazh" që flet përherë, në mos-harrim dhe përjetësi. Si tek Loja, si tek Fëmijëria, çdokush nga ne, teksa i lexon krijimet me këto tematika, është e pamundur të mos provosh emocione, të mos dëgjosh rrahjet e zemrës së poetit, madhështinë e shpirtit të tij. Dhe, të gjitha këto, më kujtojnë fjalët e bekuara të poetit të shquar nga Kosova, prof. dr. Agim Deva, i cili thoshte: "Shkurt - nga përvoja ime: në jetë kam njohur dhe njoh krijues të mrekullueshëm e dinjitozë... [... ...] Sot kemi fjalën për një figurë të kompletuar nga më të mirat e të dyja këtyre karaktereve krijuesish [... ...] një emër që shkruhet me të gjitha shkronjat e mëdha - ODHISE GRILLO. I dinjitetshëm e i dashur si njeri, i dinjitetshëm e i dashur si shkrimtar. Një njeri që më së paku i ka takuar vetvetes, e më së tepërmi fëmijëve. Një njeri që e ka pjestuar veten në aq pjesë, sa pati nevojë kultura jonë për të."
Sot duke të kujtuar me nderim, mik i dashur dhe i shtrenjtë Odhise K. Grillo; nuk më largohen nga mendja gjurmët letrare që le (i ndjek ato vazhdimisht), gjithashtu përshtypjen për Ty e cila vlerësohet e ridimensionohet për ditë e për ditë. Gjurma dhe Përshtypja nuk bëjnë gjë tjetër: krijojnë ringjalljen e tënde, sjellin portretin tënd, dhe njëherësh të kujtojmë me nderim I PAHARRUARI ODHISE K. GRILLO.
Shkodër, më, 24 shtator 2024

/Tema