Qeveria shqiptare ka forcuar infrastrukturën mbrojtëse të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, për t’i bërë ballë sulmeve kibernetike.
Kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa bëri të ditur sot se, gjatë dy viteve të fundit Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike, ku vetëm gjatë vitit 2023 ishin 46 të tilla, teksa sulmet keqdashëse nuk kanë munguar as gjatë këtij viti.
“Në vitin 2023, në kemi pasur 46 sulme kibernetike. Disa prej tyre arritën dhe shkaktuan dëme që tashmë janë të mirënjohura. Këtë vit janë regjistruar rreth 20 të tilla. Fatmirësisht këto sulme janë parashikuar dhe bllokuar”, tha ai në një intervistë televizive.
Tafa u shpreh se, bankat, shërbimet digjitale dhe sektori i energjisë janë në shënjestër të keqdashësve kibernetikë, që janë të lidhur me Iranin.
“Infrastruktura digjitale është ajo që zë një peshë të rëndësishme. Kemi parë shpeshherë që sektori bankar është nën goditje të vazhdueshme kibernetike. Në sektorin energjetik, është një nga sektorët që së fundmi ka pasur disa tentativa dhe për të cilën ne kemi qenë vigjilentë. Sulmet të cilat vijnë nga aktorë të lidhur me shtetin e Iranit, janë ato që zënë peshën më të rëndësishme, mbi 80 për qind”, u shpreh ai.
Tafa nënvizoi se për t’i bërë ballë sulmeve kibernetike, qeveria ka forcuar infrastrukturën mbrojtëse të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
“Kjo mbrojtje është shumëdimensionale. Kërkon investime në teknologji, investime në mënyrë të përditshme në të gjitha proceset e punës në të gjitha infrastrukturat e vendit dhe investime në pjesën e talenteve apo kapaciteteve”, u shpreh ai në një prononcim për “Klan Tv”.
Së fundmi Shqipëria u ngjit me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike, duke u pozicionuar në vendin e 57-të në rang global./ata