Zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari tha se fondi për Skemën Kombëtare të Investimeve në fermë është 1.5 miliardë lekë për 3 vitet në vijim (2024- 2026).

Në një intervistë për mediet, Jaupllari theksoi se, fondi prej 500 milionë lekë është vetëm për vitin 2024.

Sipas tij, nëse fondi prej 500 milionë lekësh nuk arrin të përthithet nga fermerët gjatë vitit 2024, financimi nuk kthehet në buxhetin e shtetit, por rialokohet dhe kalon përsëri për  financim të fermerëve vitin e ardhshëm.

“Kjo skemë adreson mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe është një mundësi e artë për të gjithë fermerët që do të investojnë në 5 sektorët prioritarë (serra, blegtori, akuakulturë, makineri bujqësore, rrjeta antibreshër)”, informoi zv.ministri.

Jaupllari shpjegoi se tashmë është gati udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë, që përcakton kriteret e aplikimit dhe përfitimit të financimit me 50% grant të vlerës së investimit për të gjithë fermerët që operojnë në sektorin rural.

Jaupllari deklaroi se, 30% e totalit të fondit për investim do të jepet që në fillim parapagim.

“Ky fakt i lehtëson fermerët që të kenë financim paraprakisht dhe të nisin investimin dhe në përfundim të projektit të marrin pjesën e mbetur të financimit”, tha ai, teksa bëri të ditur se aplikimet nisin së shpejti online.

Konkretisht, kjo mbështetje ofrohet për ndërtimin e serrave të reja diellore me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 2 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes.

Gjithashtu, parashikohet financimi i blerjes së rrjetave për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, por edhe blerja e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale.

Nga ky fond do të mbështetet ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imëta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 000 shpendë.

Nga ana tjetër, në financim do të përfshihet edhe akuakultura detare për koshat e rritjes së peshkut. Për të gjitha këto investime masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por me disa shuma limit financimi./ata