Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se Shqipëria ofron shumë mundësi në shumë sektorë për investimet çeke.
Gonxhja paraqiti në Forumin e Biznesit Shqipëri-Çeki në Tiranë panoramën e klimës së biznesit dhe mundësitë që ofron vendi për investitorët e huaj.
Ai tha se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët e huaj.
“Vendimi juaj për të eksploruar mundësitë e biznesit në Shqipëri është një dëshmi e marrëdhënieve dypalëshe në rritje mes dy vendeve dhe besimit reciprok që ndajmë. Si ministër qëndroj para jush me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe përkushtimi për të nxitur partneritete të forta dhe për të lehtësuar investimet nga të cilat do të përfitojnë të dyja vendet tona”, u shpreh Gonxhja.
“Për investitorët dhe biznesmenët çekë, Shqipëria ofron një mori mundësish dhe një gamë të larmishme sektorësh. Për më tepër, fuqia punëtore e re dhe e kualifikuar e Shqipërisë, së bashku me kostot konkurruese të punës, paraqet një propozim bindës për investitorët që kërkojnë të krijojnë një prani në rajon”, theksoi ministri.
Forumi i Biznesit Shqipëri-Çeki u zhvillua ndërsa një delegacion i zgjeruar çek ndodhet në Tiranë, i kryesuar nga ministri i Industrisë e Tregtisë, Josef Sikela.
Forumi u zhvillua me koordinimin e AIDA – Albanian Investment Development Agency dhe MEPJ./ata