Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot takimin e pestë të komitetit Ekzekutiv të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”.
Bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, institucioneve të tjera partnere dhe donatorëve, u diskutua për arritjet e projektit, sfidat, veprimtaritë, planet dhe mundësitë deri në përfundim të projektit.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran i cili hapi takimin krahas zëvendësministrit Besfort Lamallari dhe përfaqësuesve të donatorëve u shpreh se, “luftimi i rrezikut të përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta mbetet një nga përparësitë strategjike të qeverisë shqiptare”.
Prandaj, shtoi ai, “Prezenca e OSBE-së është e lumtur që mbështet Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, si aktorët kryesorë të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe të Planit të saj të Veprimit, si edhe të Udhërrëfyesit Rajonal për AVL-të”,
Projekti për armët e vogla e të lehta zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës./ata