Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Gjermani, Gentiana Mburimi mori pjesë në takimin e radhës të këshillit organizativ me mësueset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të Nürnbergut dhe rrethinave, të cilët veprojnë në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Bavari.
Mburimi falënderoi shkollën e Nürnbergut për mikpritjen e përzemërt dhe u garantoi mbështetjen dhe përkrahjen për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në një punë të përbashkët me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Mynih.
Mburimi ndau tekstet mësimore për nxënësit e kësaj pjese të Bavarisë, dhuratë e qeverisë shqiptare.
Në takim koordinatori i mësimit plotësues për Nürnberg-un dhe rrethinat, Selim Hoti, falënderoi grupin organizativ të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për Nürnbergun dhe mësueset për punën dhe angazhimin e tyre në ketë mision, sa të shenjtë aq human dhe kombëtar.
Nënkryetari i LAPSH-it, Xhymshit Tafa foli rreth organizimit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2024-25 në Bavari.
Armend Ismajli kryetari i Këshillit të Prindërve për Nürnberg në fjalën e tij u përqendrua rreth sfidave që përcjell mësimi plotësues në gjuhës shqipe, si dhe u bëri thirrje prindërve të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe sepse sipas tij “gjuha ruhet, vetëm aty ku shkruhet”.
Gjithashtu mësueset folën rreth fillimit të vitit të ri shkollor 2024-25 dhe shprehën dëshirën që numri i nxënësve të rritet nëpër klasa.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i shkollave shqipe për Hessen-in, i cili foli rreth organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash tek mësimdhënësit./ata