Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri mbështet Bashkinë e Shkodrës në misionin e saj për t’u bërë një qytet më i pastër, më i gjelbër dhe më i qëndrueshëm, njoftoi sot ambasada gjermane në Tiranë.

Të martën dhe të mërkurën, ‘Circular City Labs Shkodra’ u lançua zyrtarisht si pjesë e projektit GIZ Albania „EU4 Circular Economy and Livable Cities“, i krijuar për të përshpejtuar inovacionet lokale në parandalimin dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Mezi presim të mobilizojmë potencialin inovativ të qytetit dhe të rinjve të qytetit, veçanërisht në fushat e mbetjeve organike, tekstile dhe paketimit. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për inovatorët lokalë që të marrin pjesë në një hackathon dhe një program të përshpejtuar dhe të testojnë zgjidhjet e tyre të Ekonomisë Qarkore në zonën e Shkodrës” – tha Iven Schad, shefi i Bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri.

Nënkryetari i bashkisë së Shkodrës, Rudin Beka, theksoi rëndësinë e financimeve me grant për bizneset lokale dhe start-upet për të sjellë në jetë këto ide inovative, duke e çuar Shkodrën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme./ata