Shkolla “14 Nëntori” në Durrës, e rikonstruktuar së fundmi përmes programit “EU4Schools”, ofron kushte bashkëkohore për 750 nxënës dhe 40 mësues.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, e cila i shërben një komuniteti prej 53,312 banorësh.

“Edhe një tjetër shkollë model i shtohet Durrësit, shkolla “14 Nëntori” e rilindur për 750 nxënës dhe 40 mësuesit, me klasa moderne, laboratorë, palestra e terrene të reja sportive”, shkruan Rama krahas videos.

Vetë nxënësit dhe mësuesit shprehen të kënaqur me kushtet e reja të kësaj shkolle, si dhe pajisjen e saj me laboratore.

Shkolla “14 Nëntori” është një nga 18 shkollat e rikonstruktuara në Durrës si pjesë e programit “EU4Schools”.

Shkolla disponon 32 klasa mësimore, 4 laboratorë shkencash dy për IT, biologji-kimi, fizikë, një palestër, dy terrene sportive, si dhe hapësira të tjera si infermieri dhe dhomë psikologu.

Vetëm përgjatë këtij viti janë rehabilituar 100 shkolla, falë investimeve të qeverisë shqiptare, bashkive dhe programit të Bashkimit Europian./ata