Ushtria izraelite ka kryer sulm ajror ndaj një ndërtese në jug të kryeqytetit të Libanit, Bejrut.
Sulmi në fjalë ka ndodhur në lagjen Gubeyri në rajonin Dahiye, ku Hezbollahu ka ndikim të fortë. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë okularë, në shënjestër kanë qenë kati i 4-t dhe i 5-t i një pallati.
Ky është sulmi i tretë i Izraelit në Bejrut brenda një jave.
Ushtria izraelite nga ana tjetër në një deklaratë konfirmoi se ka kryer sulm ajror ndaj Bejrutit.
Në deklaratë ushtria tha se detajet rreth sulmit do të bëhen të ditur më vonë.
Ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e sotëm se ka kryer sërish sulme ajrore në jug të Libanit.
- Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 558 persona
Ushtria izraelite që nga mëngjesi i 23 shtatorit ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulme kanë humbur jetën 558 persona, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra dhe se janë plagosur 1.835 të tjerë. Ndërkohë nga rajonet jugore të vendit vazhdon vala e migrimit drejt kryeqytetit Bejrut dhe rajoneve veriore.
Ministria libaneze e Arsimit njoftoi se mësimi është pezulluar në të gjithë vendin ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se shkollat në jug të vendit janë hapur për të akomoduar qytetarët e zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite.
Izraeli ndër "objektivat e luftës" rendit kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre të qytetarëve të tij të evakuuar nga rajonet veriore në kufirin libanez për shkak të konflikteve.
Sipas deklaratës nga spitali "Rambam", kompleksi më i madh shëndetësor në rajonin izraelit të Haifas, 11 persona të plagosur lehtë, të cilët u kapën nga paniku ose u goditën nga copa shrapnelësh për shkak të raketave të lëshuara nga Libani më 22-23 shtator, u dërguan në spital.
Në qytetin verior izraelit Nahariya 9 persona u plagosën lehtë. Sipas lajmit të gazetës "Haaretz", më 22 shtator një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë në një aksident trafiku që ndodhi për shkak të panikut teksa sirenat e sulmit po binin në rajonin e Galilesë së Poshtme./aa