Numri i personave që kanë humbur jetën në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ndaj Libanit që nga e hëna është rritur në 558, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra.
Në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin Bejrut, ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad dha informacione për humbjet e shkaktuara nga sulmet "e paprecedentë" të kryera nga Izraeli në qytete dhe fshatra në jug dhe në lindje të vendit që nga mëngjesi i djeshëm.
Abiad deklaroi se në sulmet e Izraelit që kanë shënjestruar qytetet dhe fshatrat libaneze, numri i vdekjeve u rrit në 558 ndërsa numri i të plagosurve në 1.835. Pasi tha se 50 nga ata që humbën jetën ishin fëmijë dhe 95 gra, Abiad vuri në dukje se 4 punonjës të ndihmës së parë nga Shoqata e Skautëve "Er-Risale" ishin në mesin e të vdekurve.
Ai potencon se shumica e viktimave të sulmeve izraelite të kryera nga mëngjesi i djeshëm janë civilë të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Ministri libanez tha se kjo situatë bie ndesh me pretendimin e Izraelit se ka vënë në shënjestër njerëz të armatosur.
"Avionët izraelitë shënjestruan 14 ambulanca ose automjete zjarrfikëse si dhe spitalin shtetëror 'Bint Jabal'", informoi Abiad i cili shtoi se ky është një shembull tjetër i brutalitetit të sulmeve izraelite.
Gjithashtu Abiad tha se 55 persona, përfshirë 7 fëmijë, u vranë dhe 66 të tjerë u plagosën në sulmin ajror të kryer nga Izraeli në rajonin Dahieh të Bejrutit më 20 shtator. Sipas tij, forcat e sigurisë po punojnë për identifikimin e identitetit të atyre që humbën jetën në sulm dhe se ka shumë trupa të pajetë të copëtuar.
Abiad dje deklaroi se për shkak të sulmeve izraelite ata kishin përjetuar "ditën më të përgjakshme" në vend që nga lufta civile midis viteve 1975 dhe 1990. Ndërkohë nga rajonet jugore të Libanit vazhdon vala e migrimit drejt Bejrutit dhe rajoneve veriore.
Ministria libaneze e Arsimit njoftoi se mësimi është pezulluar në të gjithë vendin ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se shkollat ​​në jug të vendit janë hapur për të akomoduar qytetarët e zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite./aa