Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se vendi i tij është gjithmonë me Libanin.

Macron, i cili vizitoi SHBA-në, bëri deklarata për Libanin për mediat franceze në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB).

"Ne kemi qenë gjithmonë në anën e Libanit dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë", tha Macron.

Ai tha se takimi që do të mbahet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të diskutuar mbi zhvillimet në Liban është shumë i rëndësishëm. Macron theksoi se e mbështet këtë takim duke patur parasysh situatën në rajon.

 

- Izraeli vrau 558 njerëz në Liban

Ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit, si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek, që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit.

Ministria e Shëndetësisë së Libanit njoftoi se 558 persona, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra u vranë dhe 1.835 të tjerë u plagosën në sulmet e Izraelit.

Vala e migrimit vazhdon nga rajonet jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut.

Ministria libaneze e Arsimit njoftoi se mësimi është pezulluar në të gjithë vendin ndërsa Ministria e Brendshme tha se shkollat ​​në jug të vendit u hapën për të akomoduar qytetarët e zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite./aa