Të paktën dy persona janë lënduar lehtë si pasojë e shpërthimit që ndodhi në një kafe në qytetin Këln të Gjermanisë.

Policia bëri të ditur se shpërthimi ka ndodhur në orën 02:45 në rrugën 'Longericher', por nuk dha detaje të mëtejshme, ndërkohë mediat lokale raportuan se dy persona janë lënduar lehtë.

Sipas informacionit të marrë nga banorët përreth, fillimisht është dëgjuar zëri i shpërthimit, ndërsa më pas si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në lokalin ku janë thyer edhe dritaret, ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha.

Policia ka nisur hetim lidhur me incidentin.

 

- Këlni edhe më herët me dy shpërthime të ngjashme

Në Këln edhe më 16 shtator ndodhi një shpërthim i ngjashëm në një lokal të një turku, ku ishte lënduar një pastrues.

Në pamjet e kamerave të sigurisë të godinës lidhur me shpërthimin e ndodhur rreth orës 06:00 në rrugën 'Hohenzollernring', shihet një person duke lënë një çantë dhe një kuti në hyrje të ndërtesës dhe duke u larguar, pas çka ndodh menjëherë shpërthimi.

Policia, e cila po hetonte ngjarjen, ka nisur të kërkojë të dyshuarin, fotografitë e të cilit janë publikuar dhe ka kërkuar ndihmë nga publiku.

Gjithashtu edhe më 18 shtator një person ka mbetur i plagosur lehtë nga shpërthimi që ndodhi para një dyqani veshjesh në Këln./aa