Shqipëria mund të jetë duke u përdorur nga të huaj të pasur si “parajsë fiskale”. Ekspertë vendas dhe ministria e Financave dyshojnë se edhe biznesmenë vendas po fshehin pasuritë e tyre në shtete “offshore” për mos paguar detyrimet tatimore.
“Në gjykimin tim, janë gati gjysma e parave që fshihen në vende të tjera dhe pjesa më e madhe nëpërmjet kompanive fiktive”, tha për A2, ish-zv.drejtori i DPT, Flobens Dilaveri.
Qeveria pranon në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 se fenomeni i “evazionit tatimor” mund të jetë prezent në vend, ndaj duhet luftuar.
“Shqipëria filloi shkëmbimet e para automatike në dhjetor 2020, me ndihmë teknike nga autoritetet tatimore italiane dhe do të fillojë të marrë informacione për individë shqiptarë që kanë llogari financiare në juridiksionet e huaja, përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të "strehave" tradicionale “offshore”.
Përvoja e vendeve që e kanë adaptuar më herët këtë masë, është që informacioni i shkëmbyer identifikon evazion të konsiderueshëm tatimor dhe Shqipëria nuk ka gjasa të jetë një përjashtim.”
Dyshimet janë se miliona euro që iu përkasin individëve të pasur shqiptarë mund të jenë të fshehura në Ishujt e virgjër Britanikë, Singapor, Bermuda, Ishujt Kajman, Malta, Luksemburgu, Panama apo Holandë.
“Në periudhë afatmesme, Shqipëria do të filloj përgatitjet për zbatimin e Rregullave Globale Anti-Erosionit, të cilat ka të ngjarë të kenë një ndikim të rëndësishëm në sistemin e saj tatimor të brendshëm. Gjithashtu, do të kryhen analiza periodike mbi rastet e evazionit tatimor në lidhje me juridiksionet offshore.”
Ish-zëvendës drejtori i Tatimeve, Flobens Dilaveri liston edhe arsyet se pse duhet gjurmuar dhe luftuar me urgjencë fenomeni “offshore.”
“Veç faktit që kemi të bëjmë me para të munguara për arkën e shtetit, nga ana tjetër kemi edhe pabarazi mes bizneseve duke nxitit shumë të tjerë të orientohen drejt 'parajsave fiskale'."
Nëse një kompani është e regjistruar në Shqipëri pa pasur aktivitet ekonomik të dukshëm, pra, nuk ofron mallra apo shërbime, por krijon kompani apo degë në vende të tjera, atëherë kjo mund të quhet kompani “offshore” pavarësisht se Shqipëria nuk klasifikohet formalisht si parajsë fiskale./Tema