Banka e Shqipërisë parashikon rritje të qendrueshme të ekonomisë në afatmesëm, nxitur nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të sektorit privat, rritja e eksporteve dhe turizmit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, deklaroi sot se, “ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”.

Analizat e Bankës Qendrore sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve.

Në veçanti, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është shoqëruar me rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat.

Sejko tha se, trendet pozitive të regjistruara në tregun e punës gjatë vitit të shkuar kanë vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit aktual.

“Rritja e pagave në sektorin privat gjeneron më shumë të ardhura për familjet shqiptare. Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi. Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj”, deklaroi Guvernatori Sejko./ata