Ngadalësimi i turizmit gjatë muajit korrik ka nxjerrë në pah disa abuzime të dukshme me çmimet, veçanërisht në zonën e jugut të Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë dy muajve të parë të verës, shtetasit e huaj regjistruan rreth 235 mijë netë qëndrime në veri, duke shënuar një rritje prej rreth 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në kontrast, zona e jugut përjetoi një zbehje të numrit të netëve qëndrimeve, me një rritje më modestë prej 27%. Kjo rritje më e ulët lidhet kryesisht me abuzimet me çmimet që hotelet në jug kanë bërë në përpjekje për të kapitalizuar parashikimet optimiste të qeverisë për ardhjen e 14 milionë turistëve në vitin 2024.
Analiza e platformës “Booking” tregon se hotelet në Vlorë dhe Sarandë ofrojnë çmime që janë dukshëm më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Një hotel me 4 yje tani ofron një dhomë për tre persona për rreth 14 mijë lekë nata, ndërsa në veri, çmimet për të njëjtin standard variojnë rreth 10 mijë lekë, ose ndonjëherë edhe më pak.
Ky fenomen ka rezultuar në një përmirësim të dukshëm të turizmit malor, i cili po fiton terren përballë turizmit bregdetar. Rritja e numrit të vizitorëve në veriun e vendit tregon se turistët po preferojnë alternativa më të lira dhe me cilësi më të mirë, duke përfituar nga ofertat më konkurruese. Kjo situatë thekson nevojën për një rregullim më të fortë të politikave të çmimeve dhe për një mbikëqyrje më të madhe nga autoritetet për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në të gjithë vendin./Scan