Sipas “Institutit të Statistikave” në të dhënat e publikuara së fundmi mbi mbetjet e ngurta urbane shihet se përgjatë vitit 2023 ka patur një rritje të sasisë vjetore të mbetjeve urbane të menaxhuara në shkallë vendi. Konkretisht, gjatë vitit 2023 u menaxhuan rreth 844,157 tonë mbetje urbane, ndërkohë që në vitin 2022 kjo sasi ishte 820,322 tonë, duke shënuar një rritje prej 0.03 %.
Në vitin 2023, sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane është 10.30% ndaj sasisë gjithsej, nga 11.62% që kaqenë vitin e kaluar, duke shënuar një rënie me 1.32 pikë. Nëse i referohemi kategorive kryesore të mbetjeve urbane të menaxhuara, mbetjet organike vazhdojnë të dominojnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo kategori zë peshën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, me një peshë që ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 57-58 %, në tre vitet e fundit.
Ndiqen nga mbetjet plastike dhe materialet prej letre ose kartoni me 9.27% dhe 9% respektivisht. Inertet pasojnë në renditje me një peshë prej 5.91%. Në të kundërt, peshën më të vogël e zënë mbetjet spitalore me 0.06% të totalit.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi janë trajtuar këto mbetje Bazuar në kategoritë kryesore të trajtimit të mbetjeve, vëmë re se ka një rritje të dukshme të mbetjeve të djegura për energji, nga viti 2022 në 2023. Gjatë vitit 2023, 4.55% e mbetjeve urbane janë djegur për qëllime energjie, ose incenerim, duke shënuar kështu një rritje gati të papërfillshme të këtij treguesi me 0.16 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2022.
Nga ana tjetër, u ricikluan 18.81% e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë që në vitin e kaluar ky tregues ishte 18.89%, duke shënuar kështu një rënie. Depozitimi në Landfille dhe fusha mbetjesh, të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë përkatëse, vazhdon të jetë metoda më e përdorur për menaxhimin e mbetjeve, edhe pse me një rënie të lehtë nga 76.58% në vitin 2022 në 76.49% në vitin 2023./Scan