Rusia nuk mund të “detyrohet me forcë drejt paqes” ashtu siç dëshiron presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Mosgatishmëria e Zelenskyyt për të bërë marrëveshje është një “gabim fatal”, tha Peskov në lidhje me fjalimin e presidentit ukrainas në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën, ku ai tha se lufta Rusi-Ukrainë nuk mund të ndalet me bisedime dhe “ajo që nevojitet është të detyrohet Rusia me forcë drejt paqes”.
“Rusia është mbështetëse e paqes. Por me kusht që të garantojë bazat e sigurisë së saj dhe të përmbushë detyrat me të cilat përballet operacioni special ushtarak”, tha ai.
“Nga këndvështrimi im, një pozicion i tillë (mosgatishmëria për të bërë marrëveshje) është një gabim fatal, gabim sistemik. Ky është keqkuptim i thellë, i cili do të ketë pasoja për regjimin e Kievit”, shtoi ai.
Peskov hodhi poshtë kategorikisht akuzat e Zelenskyyt për shkeljen e supozuar të Rusisë të Kartës së OKB-së, duke theksuar se ajo vepron në “përputhje të rreptë me të drejtën ndërkombëtare”.
“Rusia kundërshton kategorikisht përdorimin e standardeve të dyfishta në interpretimin e ligjit ndërkombëtar, për të cilin Britania dhe SHBA-ja janë të famshme”, tha ai./aa