Ministri libanez i Punëve të Jashtme dhe Migracionit, Abdallah Bou Habib, tha se numri i të zhvendosurve brenda Libanit për shkak të sulmeve izraelite ka arritur pothuajse gjysmë milioni.

Këto të dhëna Abdallah Bou Habib i dha duke komentuar zhvillimet e fundit në Liban në një fjalim në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork.

Ai theksoi se numri i qytetarëve të zhvendosur në Liban gjatë bombardimeve izraelite po i afrohet gjysmë milioni.

Para sulmeve izraelite, rreth 110,000 njerëz u zhvendosën në Liban.

Bou Habib tha se ky numër tani ka arritur gati gjysmë milioni.

Që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit, ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit dhe rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Të paktën 558 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Liban, tha të martën ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abiad. Midis viktimave ishin 50 fëmijë dhe 95 gra, ndërsa të paktën 1,835 njerëz u plagosën, tha Abiad në një konferencë për shtyp në Bejrut.

Sulmet izraelite detyruan mijëra libanezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Libanin jugor dhe të lëviznin drejt Bejrutit dhe veriut të vendit.

Ushtria izraelite pretendon se ka goditur më shumë se 1,100 objektiva të Hezbollahut në 24 orët e fundit në Libanin jugor dhe lindor, duke përdorur më shumë se 1,400 municione të ndryshme në rreth 650 fluturime nga avionët e saj luftarakë./TRT