Në vijim të vizitës së tij në SHBA, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takua në Nju-Jork dhe me kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, me të cilin ndau lajmin e mirë për tre projekte të reja.

“Disa lajme të shkëlqyera për Tiranën. Do të sjellim “ECOLE42″ dhe “Plug and Play Tech Center” te Piramida, si vazhdim i arsimit dixhital pas Tumo Tirana. Kjo do ta bëjë Tiranën qytetin e vetëm ku arsimi dixhital konsiderohet një e drejtë njerëzore për çdo fëmijë dhe të ri, duke i përgatitur falas për punët e së ardhmes”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku informoi se me AADF-në po punohet edhe për një tjetër projekt, që ka të bëjë me lidhjen e Liqenit të Farkës me Liqenin Artificial të Tiranës, përmes një parku linear që mund të përdoret nga të gjithë.

“Për të gjithë ata që duan natyrën, shtegu i liqeneve, që lidh Farkën me Liqenin Artificial dhe Liqenin e Thatë, do të sjellë një infrastrukturë të shkëlqyer për “mushkëritë e gjelbra” të qytetit tonë”, nënvizon Veliaj./ata