72-vjeçari belg Mark Joris, një turist, ka humbur kontaktet me familjen e tij që nga data 13 shtator 2024. Këta të fundit ishin së bashku në një udhëtim turistik në malet e Shqipërisë. Sipas tyre ai është nisur nga Peshkopia përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut drejt Jabllanicës (Kallkanit).

Turisti i huaj ka qenë si vizitor më 13 shtator në “Stanet e Hinoskës” dhe prej andej nuk ka më informacione të sigurta për rrugëtimin e mëtejshëm të tij, ndërkohë që në 17 Shtator turisti belg duhet të fluturonte nga Rinasi drejt Brukselit.

E bija e tij, Tina Joris se bashku me stafin e ADZM, Elbasan dhe grupin e shpëtimit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit prej ditës së djeshme po zhvillojnë operacione kërkimi të përbashkëta në parkun Kombëtar të Shebenikut përgjatë gjithë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut./Dosja