Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike tha sot se data data 6 tetor do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Noka tha se po ashtu se Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës penale përcakton që deputetit nuk mund ti kufizohet liria apo nuk mund të burgoset pa miratimin e Kuvendit
Mbledhja vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, që dënoi me 1 vit burgim deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë”, në kuadër të dosjes së njohur me emrin “Babalja”.
Noka tha se “Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Opozita nuk mund të rrijë duarkryq. Nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare; përshkallëzim. E kemi thënë dhe po e them sot, përshkallëzim. Radikalizim”, tha Noka.
“Nuk do të thotë që të mblidhemi në bulevard, por që do të thotë se do të jemi në terren në të gjitha akset kryesore. Bllokimi i akseve do të jetë një nga idetë që do ti propozohen këshillit kombëtar”, u shpreh Noka.
“Rrugë jonë është pa kthim. Aksioni opozitar do të jetë edhe në parlament edhe në terren. Kryesia e vogël e partisë është duke diskutuar detajet dhe do të ja paraqesim këshillit kombëtar. PD do të jetë në betejë me regjimin”, tha Noka.
“Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës penale përcakton që deputetit nuk mund ti kufizohet liria apo nuk mund të burgoset pa miratimin e Kuvendit”, evidentoi Noka.
Në mbledhjen e Kryesise ka marrë pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet në “Arrest shtëpie”, pasi rezulton i pandehur nga SPAK për çështjen “Partizani”. Po ashtu, pjesë e mbledhjes ishte dhe vetë deputeti Salianji. Mbledhja e kryesisë zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, teksa gjatë orëve të drekës PD mblodhi grupin parlamentar./ata